Vritet kreu i Hamasit, Ismail Haniyeh – fajësohet Izraeli

Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, është vrarë në Teheran të Iranit, njoftoi vetë grupi.
Në një deklaratë, Hamasi e vajtoi vdekjen e kreut të vet, për të cilin tha se u vra gjatë një “bastisjeje të pabesë zioniste ndaj rezidencës së tij në Teheran”, raporton gazeta “The Guardian”.
Më herët, Rojat Revolucionare të Iranit thanë se ai ishte vënë në shënjestër në rezidencën e tij bashkë me një truprojë iraniane. Kjo forcë tha se Haniyeh kishte qenë në Iran për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri, Masoud Pezeshkian.
Izraeli nuk e ka komentuar ende vrasjen e figurës së lartë të Hamasit.
Haniyeh ishte shef politik në ekzil i grupit palestinez dhe një pjesë të madhe të kohës viteve të fundit e kishte kaluar në Katar dhe Turqi.
I konsideruar si pragmatist, ai kishte vepruar si negociator në bisedimet për armëpushim gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, i ndërlidhur me aleatin kryesor të grupit, Iranin, dhe ishte takuar me presidentin turk, Rexhep Erdogan.
Thuhej se Haniyeh gjithashtu mbante lidhje të mira me udhëheqësit e fraksioneve të ndryshme palestineze, përfshirë rivalët e Hamasit.
Haniyeh ishte zgjedhur udhëheqës i byrosë politike të Hamasit më 2017 si pasardhës i Khaled Meshaal, por tashmë ishte figurë e njohur mirë, pasi kishte qenë kryeministër palestinez më 2006 pas një fitoreje të Hamasit në zgjedhjet parlamentare të atij viti.
Reagojnë Turqia e Rusia
Turqia dhe Rusia kanë reaguar pas vrasjes së kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Ministria e Jashtme e Turqisë e dënoi “vrasjen e turpshme në Teheran”, duke thënë në një deklaratë se “ky sulm gjithashtu synon që ta përhapë luftën e Gazës në një dimension rajonal”.
Në Moskë, Ministria e Jashtme e Rusisë e përshkroi eliminimin e figurës së lartë të Hamasit si “vrasje politike tërësisht e papranueshme”, sipas mediumit shtetëror, RIA.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Mikhail Mogdanov, tha se vdekja e kreut të Hamasit “do të çojë në eskalim të mëtejmë të tensioneve”.
Ca prej çasteve të fundit
Agjencia iraniane e lajmeve, IRNA, ka publikuar një video të atyre që do të kenë qenë disa prej momenteve të fundit në publik të kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran.
Figura e lartë e grupit palestinez shihet me disa burra duke e vizituar ekspozitën “Toka e Civilizimeve”, sipas videos të publikuar nga agjencia IRNA në rrjetin X.
Mediat shtetërore iraniane raportojnë se vrasja e Haniyeh-ut ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit, përderisa ai ishte duke qëndruar në një rezidencë për veteranë të luftës.
Deri më tani, pak hollësi kanë dalë rreth rrethanave të sakta të vrasjes.
Mediumi “Nour News” raportoi se ndërtesa ku ndodhej Haniyeh-u u godit nga një “predhë ajrore” dhe se “hetime të mëtejme janë duke u zhvilluar për t’i përcaktuar hollësitë e këtij operacioni terrorist”, përcjell agjencia “Reuters”.