Vuçeviq: Kurti është në dijeni të aktiviteteve të Ushtrisë Serbe, po përpiqet të ngrit tensione
Ushtria serbe është në komunikim të përditshëm me pjesëtarët e KFOR-it, dhe i ka të gjitha linjat e organizuara të komunikimit dhe patrullimet e përbashkëta, dhe kryeministri Albin Kurti është në dijeni të aktiviteteve të Ushtrisë Serbe, tha sot kryeministri serb Millosh Vuçeviq.
Vuçeviq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përpiqet të ngrejë tensionin.
“Para së gjithash, ai dëshiron të errësojë dhe të lërë mënjanë atë që po bën, gjë që çon në përshkallëzim në terren, duke rrezikuar të drejtat dhe liritë e njeriut të serbëve në Kosovë”, tha Vuçeviq.
Duke komentuar pretendimet e Kurtit se pjesëtarët e Ushtrisë Serbe janë pikasur nga institucionet e sigurisë së Kosovës përgjatë vijës administrative, ai është përgjigjur se ata ishin “kriminelë, kontrabandues dhe hajdutë”.
“Ato forca që dyshohet se janë takuar me pjesëtarët e Ushtrisë Serbe janë kriminelë, kontrabandues, hajdutë të cilët kalojnë vijën administrative nga territori i Kosovës në territorin e Serbisë qendrore për të vjedhur atë që gjejnë. Ushtria serbe kryen detyrat e saj dhe kur ushtria jonë i ndeshet, ajo bën gjithçka në përputhje me ligjin, nuk ka aktivitete shtesë, nuk po përgatisim asgjë që mund të çojë në përshkallëzim në terren, për më tepër, ne jemi shumë të qetë dhe të kujdesshëm”, tha Vuçeviq.