Medi
02KOSOVËLAJME

Xhafer Tahiri jep dorëheqje nga posti i Kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri

Ish-kryetari i Komunës së Vushtrrisë dhe kryetari i deritanishëm i Degës së LDK-së në këtë komunë, Xhafer Tahiri, ka njoftuar sot dorëheqjen e tij nga drejtimi i degës, vendim që tha se e mori me “reflektim të thellë politik dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve”.

Tahiri tha se ky hap nuk vjen nga lodhja apo zhgënjimi, por nga “dashuria për qytetin dhe respekti për secilin anëtar e aktivist të LDK-së në Vushtrri”. Ai theksoi se udhëheqja duhet ta dijë jo vetëm kur të prijë, por edhe kur të hapë rrugë për energji të reja brenda subjektit.

Active

Në deklaratën e tij, Tahiri kujtoi rrugëtimin politik që kishte nisur që nga viti 2009, kur drejtoi forumin rinor të LDK-së në Vushtrri, e më pas në nivel vendi. Ai theksoi se përgjatë gjithë karrierës politike kishte qenë i udhëhequr nga idealizmi dhe besnikëria ndaj LDK-së.

Tahiri u ndal edhe te periudha kur ai udhëhoqi Komunën e Vushtrrisë (2017–2021), duke e cilësuar atë si “nderin më të madh të jetës politike”, një periudhë me shumë projekte e sfida, për të cilat tha se është krenar.

Ai publikoi edhe rezultatet elektorale në të cilat ka garuar ndër vite:

2009 – 4,486 vota
2013 – 5,418 vota
2017 – 5,302 vota
2021 – 8,615 vota
2025 – 6,200 vota

Tahiri veçoi vitin 2017 si një moment kyç, kur u bë kandidati i vetëm fitues i LDK-së në tërë Rajonin 02 (Mitrovicë, Vushtrri, Skënderaj e Veri) në dy dekadat e fundit, një besim që ai tha se nuk do ta harrojë kurrë.

Ai ritheksoi përkushtimin e tij të palëkundur ndaj LDK-së, duke kujtuar zotimin e dhënë se do të mbetej pjesë e saj edhe “nëse një ditë do të mbetej vetëm një anëtar”.

Referuar rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2025, Tahiri pranoi se nuk ishte ai që ishte pritur, por nënvizoi se kjo nuk e zbeh vlerën e punës së bërë as bashkëpunimin e ndërtuar në qytet. Ai shtoi se investimi në bashkëpunim politik e njerëzor do të vazhdojë të japë efektet e veta pozitive për Vushtrrinë dhe Kosovën.

Tahiri falënderoi qytetarët, anëtarët e LDK-së dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur ndër vite, duke theksuar se Vushtrria dhe LDK-ja kanë qenë “shtëpia, familja dhe identiteti i tij politik”.

Në fund, ai bëri të ditur se largimi nga drejtimi i degës nuk nënkupton tërheqje nga angazhimi, duke theksuar se do të vazhdojë punën në Kryesinë Qendrore dhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së me të njëjtin përkushtim si deri më tani.

Tahiri u shpreh i bindur se LDK-ja dhe qytetarët e Vushtrrisë do të vazhdojnë rrugën e bashkëpunimit dhe zhvillimit.

Active