Xhamia në Rrezallë vandalizohet, reagon KBI në Skënderaj: Sulm i papranueshëm ndaj një objekti të shenjtë

Këshilli i Bashkësisë Islame në Skënderaj ka reaguar pas vandalizimit të xhamisë në fshatin Rrezallë, ku persona të panjohur kanë dëmtuar një pjesë anësore të objektit dhe kanë vjedhur arkën e xhamisë, shkruan Mitropol.
Në reagim thuhet se ky akt është një sulm i drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj një objekti të shenjtë, por edhe një goditje e rëndë shpirtërore për besimtarët dhe komunitetin.
“Vandalizma të tilla, sidomos ndaj objekteve fetare, janë të papranueshme, bien ndesh me vlerat themelore të shoqërisë sonë dhe krijojnë ndjenjën e pasigurisë”, thuhet në njoftim.
KBI Skënderaj u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë.








