Active 2
KOSOVËLAJME

Zbardhen detaje të reja rreth alarmit për bombë në Kuvendin e Kosovës – Ja se si arriti lajmi në zyrën e Glauk Konjufcës

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me kërcënimin për vendosjen e një bombe në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës — ngjarje që çoi në evakuimin e menjëhershëm të objektit dhe aktivizimin e njësive të sigurisë, shkruan Mitropol.

Sipas burimeve, një mesazh kërcënues në gjuhën angleze është dërguar në adresën elektronike të një punonjëseje në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. Në përmbajtje, thuhej se një bombë ishte vendosur brenda ndërtesës dhe se ajo do të shpërthente brenda 10 minutash.

Active 1

Pas marrjes së mesazhit, punonjësja ka informuar menjëherë njësitë e sigurisë, të cilat kanë reaguar me shpejtësi, duke ndërmarrë masat e para operative.

Brenda pak minutash, perimetri i objektit është rrethuar nga policia, ndërsa të gjithë zyrtarët dhe stafi janë evakuuar për shkak të rrezikut të mundshëm për sigurinë.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe Njësia Hetimore dhe forenzika, që janë duke analizuar përmbajtjen dhe origjinën e mesazhit. Po ashtu, Njësia e Deminimit po kryen një kontroll të detajuar fizik të objektit.

Deri më tani, nuk është gjetur ndonjë mjet i dyshuar shpërthyes, por hetimet vazhdojnë. Autoritetet kanë nisur edhe analizimin e gjurmës dixhitale të dërguesit përmes adresës IP dhe serverit nga ku është dërguar mesazhi./Mitropol/

Active