
Për Haki Belën, 26-vjeç, ekziston një dosje e trashë penale në Policinë e Kosovës.
I dyshuari për përfshirje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, është proceduar penalisht për përhapje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit mes grupeve të ndryshme, në vitin 2023.
Për këtë rast që ndërlidhej me shpërndarjen e afisheve propaganduese kundër festimit të Vitit të Ri, ai dyshohet se ishte arrestuar nga rreshteri policor Muhamed Lika në Kaçanik.
Në të njëjtin vit, më 2023, Bela ishte evidentuar në një tjetër rast penal. Ishte shoqëruar në Stacionin Policor në Kaçanik për implikimin në një rrahje.
Rasti kishte ndodhur në shtator të vitit 2023 në një restorant në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Pesë persona ishin përfshirë në një rrahje për shkak të provokimeve për fenë, pas një debati mes njëri-tjetrit. Dy persona ishin lënduar.
Në mesin e të shoqëruarve në stacionin policor, kishte qenë edhe Haki Bela.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës për këtë ngjarje, një i dyshuar ishte ndaluar në mbajtje, ndërsa katër të tjerë ishin liruar – përfshirë Belën.
“Pesë të dyshuar meshkuj kosovarë janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete. Gjatë përleshjes është përdoruar edhe një mjet i mprehtë (thikë) dhe janë shkaktuar dëme materiale. Njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa mjeti i mprehtë (thikë) është konfiskuar dhe me vendim të prokurorit një i dyshuar ndalohet në mbajtje, ndërsa të dyshuarit e tjerë pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhej në raportin e Policisë së Kosovës.
Haki Bela u arrestua të hënën në një operacion të madh policor në Kaçanik.
Bela dyshohet se me gjashtë të tjerë planifikoi, organizoi dhe vrau në bashkëkryerje rreshterin e Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.
Muhamed Lika dyshohet se është vrarë për shkak të punës së tij si pjesëtar i Policisë së Kosovës, thanë të hënën në një konferencë për media drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha dhe Kryeprokurori i Ferizajt, Burim Çerkini.
Kryeprokurori Çerkini tha sot se motivi dyshohet se ndërlidhet me punën e rreshterit Lika.
“Deri më tani është pak herët të flasim për motivin, por sipas asaj që e kemi deri më tani, motivi ndërlidhet me punën e tij si zyrtar i Policisë së Kosovës”, tha Çerkini.
Këtë deklaratë të Çerkinit e mbështeti edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Hoxha tha se ky motiv mbetet për t’u vërtetuar pas ekzaminimit të dëshmive të sekuestruara.
“Dyshimet e tona të deritashme janë që vrasja e rreshterit tonë ka ndodhur si pasojë e detyrës së tij zyrtare. Mirëpo, motivi do të qartësohet pas intervistimit të personave të dyshuar dhe po ashtu pas ekzaminimit të dëshmive të cilat janë sekuestruar. Mbetet për t’u vërtetuar, por dyshimet janë se vrasja ka ndodhur për shkak të kryerjes së detyrave të tij zyrtare”, tha Hoxha.
Të arrestuarit janë persona me procedim penal, tha Kryeprokurori Çerkini.
Ai tha se të dyshuarit, Rejhan Bela, Haki Bela, Rilind Murati, Edmond Lika, Vatan Qaka, Diamant Gashi dhe Shkëlqim Kuka janë persona të arrestuar për rastin e djegies së Gjykatës së Kaçanikut vitin e kaluar.
Prokuroria Themelore në Ferizaj po i heton shtatë personat nën dyshimin për kryerjen e veprës penale në bashkëkryerje “vrasje e rëndë”.
Shtatë të dyshuarit janë dërguar sot në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji me vendim të Gjykatës Themelore të Ferizajt. /Paparaci








