KOSOVËLAJME

Zgjedhjet e parakohshme, Osmani: S’ndërhyj në procese të tilla, nëse ka dakordim mes partive mund ta caktoj datën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sot për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend.

Osmani ka thënë se nëqoftëse ka dakordim mes partive politike, janë disa opsione për zgjedhjet e jashtëzakonshme, e të cilat i lejon Kushtetuta e vendit.

Florenti Company
Market Florenti
Koha

Ju e dini që zgjedhjet sipas afateve të rregullta duhet të mbahen në fillim të vitit 2025. Në qoftë se partitë politike kanë dakordim për t’i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës. Një prej tyre është që Kuvendi të shpërndahet më herët, por për një gjë të tillë duhen 2/3 e votave, rrjedhimisht duhet një lloj pajtimi ose dakordimi ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike që janë në Kuvendin e Kosovës për një datë të mëhershme”, ka thënë ajo.

E para e shtetit është shprehur e gatshme të shpall datën e re të zgjedhjeve, në momentin që partitë politike dakordohen dhe shpërndajnë Kuvendin, por ka thënë se nuk ndërhyn në procese të tilla.

Në qoftë se arrijnë këtë dakordim, atëherë në momentin që ata dakordohen dhe e shpërndajnë Kuvendin, si presidente, unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve brenda 30 – 45 ditëve. Tani nuk ndërhyj në proceset e tilla. Megjithatë, në qoftë se ka kërkesa nga partitë politike, dhe këtu po flas edhe nga mazhoranca, edhe nga opozita që t’i mbledhi të gjithë në mënyrë që të diskutohet një datë më e re, natyrisht që këtë e bëj, mirëpo nuk është asnjëherë punë e presidentes që të imponoj datë më të hershme sesa ajo që është e paraparë me Kushtetutë në proceset e rregullta”, ka thënë presidentja Osmani.

Sa i përket ‘tri metodave’ që mund të dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme, Osmani ka përmendur mocionet e mosbesimit, dorëheqjet e Qeverive dhe shpërndarjet e Kuvendit.

Por asnjëra prej tyre nuk inicohen e as nuk bëhen të mundura nga presidentja e vendit, por nga partitë të cilat janë qoftë në qeveri, qoftë në opozitë. Në qoftë se nuk ndodhin asnjëra nga këto tria, siç e përmenda, data e rregullt e zgjedhjeve është fillimi i vitit të ardhshëm”, ka thënë mes tjerash presidentja.

Kujtojmë se, mundësia për mbajtjen e zgjedhjve të parakohshme është përmendur shumë kohët e fundit, madje edhe nga vetë partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se do të ishte mirë që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Nuk mund ta përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme. Mua më duket që mandati, nëse qeveria mendon se duhet të shkojë deri në fund, kush jam unë t’iu përzihem. Mirëpo, për shkak të vitit 2024 dhe zhvillimeve që i përmenda, do të dëshiroja, ky është mendim imi më privat, që Kosova të mos kalonte nëpër këto procese, e që këto procese të ndikojnë në legjitimitetin e pushtetit të ardhshëm në Kosovë. Do të dëshiroja më tepër, është alternativa që e mendoj, që do të ishte shumë më e dëshirueshme… këtë nuk e kam për Lëvizjen vetëvendosje, e kam për Kosovën, do të ishte më e shëndetshme që legjitimiteti i pushtetit të ri të përballet me ato sfida, e jo ato sfida të orientojnë karakterin e legjitimitetit”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova ka nevojë për zgjedhje të parakohshme. Këtë qëndrim, PDK-ja e ka bërë të qartë qysh në korrik të vitit të kaluar, sipas tij.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, por se nuk do t’i kërkojë ato.

Sipas tij, zgjedhjet duhet të jenë të rregullta, sepse pushtetit aktual nuk i ka mbetur edhe shumë kohë deri në fund të mandatit.

Ndryshe, nëse zgjedhjet mbahen me rregull, ato do të duhej të zhvilloheshin në shkurt të vitit 2025.