
Zhduken disa prova, pamjet e kamerave të sigurisë së ‘Kobra City’ nuk po i gjen Policia
13:30
Disa prova shumë të rëndësishme janë zhdukur dhe ende nuk kanë rënë në duar të hetuesve të policisë në lidhje me vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi në orët e para të mëngjesit.
Përpos armës së krimit e cila është zhdukur dhe ende nuk është gjetur, KALLXO.com mëson se nga lokali i natës “Kobra City” janë zhdukur edhe kamerat e sigurisë.
Policia nuk ka arritur të gjejë asnjë material filmik të ngjarjes, pasi punëtorët janë arsyetuar se kamerat nuk punojnë pasi të njëjtat ishin marrë nga policia rreth një vit më parë.
Gjuajtja me armë dyshohet se ka ndodhur në parkingun e lokalit “Kobra City”.
Prokuroria: Dyshohet se konflikti erdhi për shkak të pagesës së një fature
13:15
Vrasja që ndodhi sot në orët e para të mëngjesit, sipas hetimeve të Prokurorisë së Prizrenit, po dyshohet se erdhi për shkak të një faturë.
Prokurorja kujdestare, Nazar Shero tha për KALLXO.com se dyshohet që ngjarja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjes rreth një pagese.
“Thuhet se si shkak i mosmarrëveshjes është një fature, por i dyshuari në Polici është mbrojtur në heshtje. Flitet se është rreth një pagese që ka qenë atë natë aty, por hetimet do ta tregojnë se çfarë ka ndodhur” – tha për KALLXO.com, prokurorja Shero.
Ajo shtoi se janë duke zhvilluar hetime, derisa njoftoj se do të kërkojnë paraburgim për 5 personat e ndaluar.
“Për momentin jemi në zhvillimin e hetimeve, janë të ndaluar pesë persona të dyshuar dhe në bazë të hetimeve do të parashtrojmë kërkesën për ndalim apo paraburgim”
Vrasja në parkingun e ‘Kobra City’, ndërhyjnë krimet e rënda
13:08
Për shkak të kompleksitetit të rastit dhe përfshirjes së shtetasve të huaj në vrasjen e orëve të para të mëngjesit, njësia më speciale e hetimit të krimeve të policisë së Kosovës e ka marrë në dorë hetimin e rastit të vrasjes në Prizren.
Sipas burimeve të KALLXO.com, krimet e rënda kanë zbarkuar në Prizren për t’u marrë me hetimin e kësaj ngjarje.
Hetuesit nga kjo drejtori merren me hetimin e ngjarjeve më të rënda të cilat ndodhin në vend.
Hetimi I fundit i vrasjes i drejtuar nga kjo drejtori ishte ai i vrasjes së nxënësve në rajonin e Deçanit.
Zhduket arma e krimit në Prizren
12: 59
Policia e Kosovës ende nuk ka arritur ta gjejë armën me të cilën dyshohet se është kryer vrasja në Prizren.
KALLXO.com merr vesh se arma është zhdukur dhe policia është në kërkim të saj.
Gjujatja me armë, që si pasojë la të vdekur 31-vjeçarin nga Kukësi dhe plagosjen e një 27-vjeçari tjetër, dyshohet se ndodhi në parkingun e lokalit të natës “Kobra City” në Prizren.
Ky lokal është në pronësinë e Dibran Hoxhës.
Artikulli në përditësim
Dibran Hoxha mohon gjuajtjen me armë, pretendon se ishte në Gjilan
12:38
Dibran Hoxha, pronari i lokalit të natës “Kobra City” në Prizren ka mohuar se ka gjuajtur me armë zjarri ku mbeti i vrarë një person nga Kukësi dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Burime të KALLXO.com kanë konfirmuar që gjatë intervistimit në stacionin e Policisë së Kosovës në Prizren, Dibran Hoxha ka mohuar të ketë qenë në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur vrasja.
Sipas këtyre burimeve, ai ka thënë që në atë kohë ishte jashtë Prizrenit.
Ai u ka thënë zyrtarëe policorë se në atë kohë kishte qenë në Gjilan.
Një vrasje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Prizrenit në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku ka mbetur i vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi dhe është plagosur një 27-vjeçar poashtu nga Kukësi.
Policia e Kosovës ka njoftuar se deri tek vrasja ka ardhur pas një konflikti fizik që kishte ndodhur në një lokal nate, që më vonë u konfirmua se ishte “Kobra City”.
Zëdhënësi i Policisë së Prizrenit e ka kofnirmuar sot gjatë ditës se pronari i “Kobra City” bashkë me 4 persona të tjerë ishte duke u intervistuar në stacionin e Policisë.
“Pronari me një pjesë të stafit është në stacion të policisë duke u intervistuar dhe janë duke i ndërmarr disa masa tjera hetimore. Pesë persona në mesin e tyre edhe pronari i lokalit janë në stacion” – kishte thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.








