Zhytësi që prej 6 vitesh kujdeset për Liqenin Akumulues: Asnjë s’është fajtor as Komuna, natyra e ujit të qetë dhe mbeturinat gjithmonë krijon barishte

Liridon Ahmeti, zhytës me përvojë dhe i angazhuar prej gjashtë vitesh në menaxhimin dhe kositjen e barishteve në Liqenin Akumulues të lumit Ibër, ka bërë një reagim publik për sfidat që paraqiten në mirëmbajtjen e këtij uji të qetë.
Ahmeti thekson se për shkak të natyrës së ujit të qetë të liqenit, barishtet zhvillohen me shpejtësi dhe bëhen të vështira për t’u kontrolluar. Ai sqaron se shpesh fajësohet mungesa e zhavorrit, por sipas tij, zhavorri është marrë ndër vite dhe nuk ka ndikuar ndjeshëm në këtë drejtim.
“Kjo dukuri – shfaqja e barishteve në ujë – do të ndodhë gjithsesi, edhe nëse liqeni do të shtrihej me pllaka betoni si një pishinë. E gjithë kjo lidhet me natyrën e ujit të qetë të lumit Ibër”, ka theksuar ai.
Sipas Ahmetit, situata do të vazhdojë të jetë e njëjtë derisa të krijohet një rrjedhë më e shpejtë e ujit. Ai nënvizon se nuk është fajtore as komuna, as ndonjë subjekt tjetër, pasi kjo është një çështje që lidhet me ligjet e natyrës.
“Të gjitha mbeturinat që vijnë nga fshatrat përreth përfundojnë në liqenin tonë të qetë dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në përhapjen e barishteve”, thotë Ahmeti, duke apeluar për ndërprerjen e grumbullimit të mbeturinave dhe për të rishikuar mënyrën e menaxhimit të rrjedhës së ujit në këtë liqen.








