Zyrtarët e Doganës dhe polici kufitar të arrestuar dje në Veri dalin para Gjykatës, kërkohet paraburgimi i tyre
Prokuroria Speciale, Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë zhvilluar të shtunën një aksion në veri të vendit, që rezultoi me arrestimin e tetë zyrtarëve të Doganës dhe një pjesëtari të Policisë Kufitare, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Arrestimi i tyre erdhi pas kontrolleve që u kryen në 11 lokacione, ku u kapën zyrtarët e dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme.
Zyrtarët e arrestuar do të dalin në orën 11:00 para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku do të mbahet seanca dëgjimore dhe më pas do të vendoset për masën e paraburgimit.
Zyrtari i vetëm policor që ra në prangat e IPK-së është Arben Aliu – i cili është dërguar në mbajtje, bashkë me zyrtarët e Doganës.
Prokuroria Speciale njoftoi se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve të dyshuar për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Marrja e ryshfetit’.
Sipas Prokurorisë Speciale, operacioni u krye pas një hetimi të gjatë.
Autoritetet bënë të ditur se gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova materiale për të mbështetur procedurën hetimore, sikurse: 20 plomba zyrtare të Doganës, dhjetë telefonë dhe katër sim kartela, një pistoletë me leje me tre karikator dhe nëntë fishekë dhe 16 copë municion jozyrtar./Sinjali/