1 vjet nga rënia e heroit Afrim Bunjaku, Sveçla: Përgjegjësia është drejtpërdrejtë e Serbisë
Sot është shënuar njëvjetori i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, prej ku mbeti i vrarë Rreshteri Afrim Bunjaku, shkruan Mitropol.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se rënia e Afrim Bunjakut mbrojti sovranitetin e territorin e vendit tonë andaj është edhe heroike, edhe e paharrueshme.
Ai tutje tha se përgjegjësia për vrasjen e heroit Afrim Bunjaku i takon drejtëpërdrejtë Serbisë.
“Drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë.
Rruga e fshatit Banjskë ku u vra Rreshter Afrimi nga sot mbanë emrin e tij. Ajo është rruga që kolegët e tij e kalojnë çdo ditë në shërbim. Mesazhi që dha Rreshter Afrimi është i qartë, terrorizmin e luftojmë me çdo kusht. Rruga që trasoi Afrimi është e përditshmja jonë bashkë me kolegët e tij, sundimi i rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë.
Sot kur kujtojmë e lartësojmë Afrim Bunjakun, qëndroj pranë familjes së tij, kolegëve e miqve për të ndarë dhimbjen po aq sa edhe krenarinë që atë e patëm në mesin tonë.”, shkroi tutje Sveçla.