Aurora Group
02KOSOVËLAJME

Sulmuan policët që po festonin ditëlindjen në lokalin “Sindikat” në veri, njërit ia thyen hundën – katër të dyshuarit përfundojnë në paraburgim

Një festë ditëlindjeje në lokalin “Sindikat”, në Mitrovicën e Veriut, përfundoi me përleshje dhe lëndime të rënda për një zyrtar policor. Katër të rinj dyshohen se sulmuan dy policë që ndodheshin jashtë detyrës, pasi fillimisht i kishin ofenduar për shkak të punës së tyre. Njëri nga policët pësoi thyerje të hundës dhe lëndime në sy, ndërsa Gjykata tashmë ka caktuar nga 30 ditë paraburgim për të katër të dyshuarit.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të dyshuarit janë Stefan Laziq, rreth 25 vjeç, Urosh Laziq, rreth 21 vjeç, Luka Maslar, rreth 21 vjeç, dhe Nemanja Milutinoviq, rreth 22 vjeç.

Active

Ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor, rreth orës 01:20, në rrugën “Boris Kidriç”, ku Policia kishte pranuar informacion për një përleshje pranë lokalit “Sindikat”.

Sipas deklarimeve të viktimave dhe dëshmitarëve, disa zyrtarë policorë, të cilët atë natë nuk ishin në detyrë, ishin mbledhur në lokal për të festuar një ditëlindje.

Por festa ishte ndërprerë kur njëri prej personave të dyshuar kishte nisur t’i ofendonte policët.

“Këta janë policët që na dënojnë neve”, ishin fjalët që, sipas dëshmitarëve, njëri prej të dyshuarve kishte përdorur.

Të dyshuarit dyshohet se u kishin kërkuar disa herë policëve të dilnin jashtë lokalit.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, pasi kishin dalë jashtë, kishte nisur sulmi fizik ndaj tyre.

Njëri prej të dyshuarve dyshohet se kishte përdorur edhe një enë metalike për pije, me të cilën e kishte goditur njërin nga policët në hundë dhe në syrin e djathtë.

Si pasojë, zyrtari policor kishte pësuar thyerje të hundës dhe ënjtje të theksuar të syrit të djathtë, i cili ishte mbyllur nga goditjet.

Polici tjetër, sipas informacionit fillestar, nuk kishte pësuar lëndime trupore.

Pas ndërhyrjes, Policia ka identifikuar dhe arrestuar personat e dyshuar, ndërsa gjatë hetimeve janë siguruar edhe deklarimet e dëshmitarëve.

Në kuadër të veprimeve të mëtejshme, janë kryer bastisje në shtëpitë, banesat dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve.

Gjatë kontrolleve janë gjetur armë gjuetie dhe pistoleta, për të cilat të dyshuarit posedonin leje të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Megjithatë, armët janë sekuestruar përkohësisht për arsye sigurie, deri në një vendim tjetër të autoriteteve kompetente.

Zhvillimi i fundit ka ndodhur më 19 nëntor, kur të katër të dyshuarit janë paraqitur para Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për secilin prej tyre.

Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Premium Store