Ankohen banorët shqiptarë të fshatrave në veri të Mitrovicës: S’kemi kushte elementare për jetesë

Banorët e fshatrave Suhodoll e Vidimriq thonë se janë në hall të madh me kushtet elementare që shteti duhet t’ua ofrojë atyre.
Një banore nga fshati Suhodoll i Poshtëm ka folur për Mitropolnë emër të bashkëvendasve duke thë se jeta këtu si rrjedhojë e rrethanave politike tash e tetë vite është e padurueshme.
“Dimrit na u imponohet me lëshu shtëpinë e me dalë me qira në jug se as poçat elektrik nuk ndizen për shkak të rymës së dobët, arsyeja dihet, bitkoinat”
“Verës jemi pa ujë prej mëngjesit të hershëm deri në ora 01:30, e që është tmerr në këtë vapë!”, ka thënë ajo për Mitropol.
Siç thotë kjo banore problem tjetër i tyre është transporti urban. As Vidimriqi e as Suhodolli s’kanë me çka të udhëtojnë, o me taksi që tani në kohën sa janë mërgimtarët është bërë shumë problem, o në këmbë, gjë që po është e vështirë për ata që po kanë probleme shëndetësore.
Banorët thonë se të paktën sikur të kishin kombi si pjesët tjera të qytetit, situata do lehtësohej paksa.
Ata potencojnë se Komuna e Mitrovicës Jugore nuk arrin t’u ofrojë ndihmë qytetarëve të veriut për shkak se administrativisht ata i takojnë komunës së Mitrovicës Veriore.
Qytetarët shqiptarë i kanë apeluar Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrin veprime konkrete për përmirësimin e kushteve të jetës për ta./Mitropol/








