
I akuzuari kryesor për vrasjen e Rr.U. në lokalin “Bon Vivant”, Masar Gërdovci është dënuar me 18 vite burgim për vrasje të rende në bashkëkryerje dhe me 1 mijë e 500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Gjykata ndaj Gërdovcit ka shqiptuar edhe dënim plotësues për konfiskimin e armës e cila dyshohet të jetë përdorur për kryerjen e veprës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për veprën penale të vrasjes e rende në bashkëkryerje, të akuzuarit Sherif Krasniqi, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetari i trupit gjykues, Avni Syla.
Më 10 janar, në fjalën përfundimtare, në rigjykimin ndaj të akuzuarve Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, Prokuroria kishte kërkuar dënimin e tyre, ndërsa mbrojtja lirimin e dy të akuzuarve. Dy të akuzuarit kishin zgjedhur të mbroheshin në heshtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e 4 marsit 2022, gati 7 vite prej ngritjes së aktakuzës për vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant”, aktakuza ndaj dy të përfshirëve në këtë rast, Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, është ndryshuar. Sipas Prokurorisë, Masar Gërdovci është i akuzuari kryesor për vrasjen e Rr.U e jo Sherif Krasniqi.
Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, i akuzuari Gërdovci ishte dënuar me 18 vite burgim për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, ndërsa të njëjtit gjykata i ka shqiptuar edhe 1 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Ky aktgjykim ishte atakuar sërish në Gjykatën e Apelit, ka qenë prokuroria ajo që ka kërkuar ashpërsimin e dënimit ndaj të akuzuarve.
Aktakuza ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 korrik 2015.
Ata thuhet se në bashkëkryerje, kishin privuar nga jeta të ndjerin Rr.U, duke kryer kështu veprat penale vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kishin shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim” dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.
Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rr.U, të merret me të pandehurit që t’i largojë nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.
Sipas aktakuzës, sapo Rr.U largohet dhe hyn në sallën e lokalit, të pandehurit ngriten nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gerdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rr.U, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve.
Në aktakuzë thuhet se, Rr.U, me t’u ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provojë nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me, ç‘rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra, ndërron jetë në QKUK. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.








