Pellini
02LAJME

Ferdane Shehu-Misini: 91 vjet kujtime nga arsimi, sfidat dhe jeta në Mitrovicë

Në emisionin e radhës të “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës”, është sjellë rrëfimi i ish-mësimdhënëses mitrovicase Ferdane Shehu Misini, e cila jetën ia kushtoi arsimit që nga vitet ’50 deri në pensionim.

Në moshën 91-vjeçare, ajo kujton fillimet e saj në shkollimin shqip pas Luftës së Dytë Botërore, sfidat ekonomike, vështirësitë për t’u pranuar në shkollë për shkak të moshës, si dhe përvojën e gjatë në arsim si mësuese, arsimtare e më pas drejtoreshë shkolle për 12 vjet.

Weelnes

“U kthym në Mitrovicë. E diplomume për mësimdhënëse. Kur shkova në shkollë fillore me këqyr për vend pune e kështu, më thanë jo. Aty u zhgënjeva. Mësimdhënësit aty ishin krejt të pakualifikum, bile kish femra që janë prej qarshafi në të 50-tën edhe ishin bë mësuese, pak e kishin mësu shkrimin shqip e jepshin mësim aty. Asnjë i kualifikum, me do kurse të ulëta e të mesme. Aty shkoj thash s’paska vend për mu. Shkova te Xhabir Xhabiri ka qenë Kryetari i Bashkësisë Arsimore dhe Drejtor në Shkollën “Meto Bajraktari”. Thash erdha une qishtu qishtu me këqyr punë në Zhabar me shku, tha e pse në Zhabar. Po thash s’paska vend këtu, qysh tha s’ka vend e mi boni disa pytje provokative se shumë e re s’besojke që e kam kry Normalen. Mi bënte disa pyetje provokatike kush të ka dhënë psikologji, kush pedagogji disa pyetje që ja merrke mendja që është dashtë me i ditë. Jo tha drejt shko në shkollë fillore aty është Eshref Kadiu. Shkova aty i kallzova, ai më priti jashtëzakonisht mirë se kuadër e parë mësuese e parë e kualifikume. Më priti mirë, ma dha një klasë, klasa e katërt. Shumë i du fëmitë. Vazhdova me atë klasë. Ishin disa nxënës pak bullista, po edhe ata i ndreça. Një e bëra kryetar, një sekretar, një me rregullu rreshtin. Ashtu sa me i zbutë pak.”, rrëfeu plot mallëngjim ajo.

Shehu-Misini rrëfeu gjithashtu kohën e represionit në vitet ’80, punën pas pensionimit si delegate komunale e gjyqtare, si dhe kujtimet për Mitrovicën e dikurshme.

“Nganjëherë dhuna po të forcojka. Kur erdhën ata që kërkojshin me lëshu shkollën, une u nervozova u çova në këmbë e kom këqyr orën edhe thash deri në ora 3:00 e kom orarin zyrtar, ju lutem lëshomani zyren. Edhe u çunë ata dulën. Me dorë ju bona edhe derën e çela”, potencoi ajo.

“Më së pari më doket prind tanë kanë qenë analfabet po i kanë eduku në mënyrë shumë pozitive fëmijët. Gjeneratat përpara kanë qenë shumë më të edukume, kur hike mësuesi në klasë fëmijët janë qu në këmbë. Vjen i madhi, fëmija as nuk livrit. Më kujtohet William Walker kur ka ardh, ka shku në Junik në një odë. Ajo deklarata e tij shumë më ka pëlqy kur ka thënë: te shqiptarët kur vike një musafir, ai më i riu ia lëshojke vendin e te na nuk ka ashtu. Ma shumë kanë punu atëhere se qitash. Tash kam nipa, mbesa, stërnipa e stërmbesa, u bëj nganjëhere kuiz, iu bëj pyetje nganjëherë nuk dijnë me u përgjigj. E shoh që diçka mbrapa”, përfundoi rrëfimin ajo.

Pellini