Priten lehtësime për procedurën e bashkimit familjar në Gjermani

Bashkimi familjar në Gjermani aktualisht paraqet shumë probleme. Por planet e koalicionit të ri qeveritar gjerman pritet të çojnë në zvogëlimin e kohës së pritjes për marrjen e vizës.
Që nga hyrja në fuqi e Rregullores së Ballkanit Perëndimor, mijëra punëtorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë gjetur punë e kanë filluar një jetë të re në Gjermani. Si rregull pas dy vjetësh, por edhe në varësi të llojit të lejes së qëndrimit në Gjermani, ata mund të bashkohen me familjet e tyre. Sigurisht për këtë duhet të plotësohen disa kritere, si psh të ardhurat e mjaftueshme, të rregulluara në bazë kategorish nga ligjëvënësi, të cilat do të mundësonin që bashkëshorti/tja e fëmijët apo të tjerë të kishin një jetesë normale nga rroga e familjares apo familjarit që fiton të ardhurat. Edhe gjuha në nivele të caktuara kërkohet ndër kriteret e tjera për arritjen e bashkimit familjar në Gjermani.
Por megjithëse shumë vetë i plotësojnë kriteret, për familjarët kthehet në një kohë të mundimshme e shpesh dëshpëruese pritja për të marrë së pari një orar për shtrimin e kërkesës për vizë e më pas marrja e vizës. Një pritje që jo rrallë e kalon një vit. Të lodhur nga kjo, jo pak vetë marrin rrugën e vijnë në Gjermani, duke shpresuar të zgjidhin problemin e vizës në vend. Një rrugë, të cilën ekspertët e bashkimit familjar nuk e rekomandojnë, sepse familjarët përballen pastaj me vështirësi të tjera, kur nuk respektohen rregulloret.










