Skandal: Në ELKOS të Ramiz Kelmendit gjenden mbi 3 mijë kg kofsha pule të mykura, urdhërohet tëheqja nga tregu

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3 mijë e 130 kilogramëve mish pule të ngrirë, pasi gjatë inspektimit në kompaninë Elkos Group SHPK është konstatuar prania e mykut në produkt.
Bëhet fjalë për kofshë pule të ngrira të markës Sanderson Farms, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilat janë vlerësuar si të papërshtatshme për konsum njerëzor, njofton Mitropol.
Sipas njoftimit të AUV-së, masa përfshin 313 pako me nga 10 kilogramë, me numër LOT-i 53110.
Agjencia ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të shitjes, tërheqjen e produktit nga tregu dhe asgjësimin e tij nën mbikëqyrjen e Inspektoratit Veterinar.
Ndërkohë, AUV u ka bërë thirrje konsumatorëve që kanë blerë këtë produkt që të mos e konsumojnë, por ta kthejnë në pikën e shitjes ku e kanë blerë.
AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet për të verifikuar tërheqjen e plotë të produktit, dokumentacionin e importit, origjinën, etiketimin, afatin e përdorimit dhe zinxhirin e ftohjes, si dhe do të mbikëqyrë procesin e asgjësimit./Mitropol/








