Inspektorati detyron VIVA FRESH-in të largojë 3,471 litra të vajit nga raftet në vlerë prej 12 mijë eurosh, s’kishin dokumentacion e shitej 3.49€

Sipas burimeve të sigurta të Mitropol, Inspektorati i tregut në Mitrovicë ka detyruar subjektin afarist “Viva Fresh” të largojë 3,471 litra me vaj nga raftet e marketit në vlerën prej 12 mijë e 113 eurosh, pasi të njejtit nuk posedonin dokumentacion që dëshmonte origjinën e mallit të vajit, të cilin po e shitnin me një çmim prej 3,49 eurosh, njofton ekskluzivisht Mitropol.
I kontaktuar lidhur me këtë, drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Valon Brahimi theksoi se Inspektorati i ka dhënë qendres tregtare në fjalë 3 ditë kohë ta heq nga shitja mallin dhe në rast se malli nuk largohet, atëherë rasti do procedohet në gjykatë dhe inspektorati do kryej konfiskimin e 3,471 litrave të vajit.
Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi ka thënë për Mitropol se inspeksioni ka dalë në terren për të inspektuar mashtrimet e mundshme me çmimet e produkteve esenciale dhe se gjithçka është nën kontrollë.
Brahimi tha se inspektimi po ndodhë pas shqetësimit të qytetarëve për rritjen e çmimeve enorme të produkteve ushqimore, me theks të veçantë, vajit.
Mitropol mëson se çmimi i vajit në ETC ishte 1,79€, në Interex 2,20€ e në Viva Fresh 3,49€./Mitropol/








