Shkolla fillore “Eqrem Çabej” për 23 vite nuk e shënoi asnjëherë përvjetorin e vrasjes së nxënësit të vet, Ilir Hajrizit

Shkolla fillore “Eqrem Çabej” për 23 vite radhazi nuk e shënoi asnjëherë përvjetorin e vrasjes së nxënësit të vet, Ilir Hajrizit, të birit të atdhetarit Agim Hajrizi nga forcat barbare serbe me 24 mars, shkruan Mitropol.
Iliri, i cili më 24 mars 1999 ishte nxënës i klasës së pestë, ra dëshmor për idealin e babait të vet, Kosovën e pavarur e të çliruar nga okupatori serb. Ai u vra në shtëpinë e tij bashkë me babain, Agimin dhe gjyshen, Nazmijen.
Si për ironi, asnjë prej drejtorëve të shkollës ku ai po kryente shkollimin kurrë në këto 23 vite nuk ka folur për te, e madje nuk ka asnjë foto të tij në muret e shkollës ku vijonte mësimin. Nxënësit e kësaj shkolle nuk janë informuar asnjëherë që një nxënës i kësaj shkolle ka rënë për lirinë e vendit.
Nëna e tij, Afërdita, e cila para detyrimit nga Gjykata e Hagës për mërgim në Holandë për shkaqe sigurie ishte mësimdhënëse në këtë shkollë tregoi për Mitropol se në vitin 2010 kishte kërkuar edhe nga Komuna e Mitrovicës që rruga e shkollës të mbante emrin “Ilir Hajrizi”.
“Në vitin 2010 kam kërku që rruga e shkollës “Eqrem Çabej” që sot quhet Evlia Çelebia të mbante emrin Ilir Hajrizi, por Komuna më ka refuzuar kërkesën”, thotë e ëma e Ilirit, Afërdita, për Mitropol.
Kosova ka shumë Ilira që ranë për pavarësinë e vendit. Moskujtimi i tyre është tradhti ndaj historisë dhe lavdisë së shtetit tonë./Mitropol/








