Aurora Group
02LAJME

100 ditët e Hamzës në Mitrovicë: Komunën e mori në gjendje të rëndë, qytetarët presin më shumë

Pas Përparim Ramës së Prishtinës, Bedri Hamza në fushatën zgjedhore dha më së shumti premtime, 123 sosh.

Por, edhe pse kanë kaluar katër muaj që nga koha kur ka marrë detyrën e të parit të Mitrovicës, asnjërin prej tyre nuk e ka realizuar.

Tripika

E qytetarët derisa thonë se pritjet i kishin të larta, shprehen të pakënaqur për mënyrën se si po ecin punët e kësaj qeverisje në këtë mandat të parë.

Qytetari U.R, thotë se ardhja e Hamzës në krye të komunës ishte pritur me entuziazëm të madh pasi “qytetarët ishin të lodhur nga udhëheqja 8 vjeçare e një njeriu me kapacitet intelektual të një bariu, siç ishte Agim Bahtiri”.

“Pritjet tona si qytetarë nga kryetari i ri Bedri Hamza janë të larta, për shkak se qyteti ka degraduar jashtëzakonisht shumë, duke nisur nga aferat korruptive, punësimet nepotike, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore, degradimi i hapësirave të gjelbra, anashkalimi i kulturës në qytetin që dikur ishte djep i kulturës në Kosovë, favorizimini banditëve të ndërtimeve të larta e shumë e shumë parregullsi të tjera”, thotë U.R për lajmi.net.

Megjithatë, kur kanë kaluar 100 ditë nga marrja e detyrës nga kryetari i ri, qytetari thotë se asnjë nga premtimet e bëra nuk po i shihen në praktikë.

“Edhe pse është kryetari i dytë në nivel të Kosovës për nga premtimet, ende asnjë nga to nuk po shihen në praktikë dhe nëse vazhdon me këtë ritëm dyshoj se qytetari do ia besojë votën edhe për një mandat. Mitrovica ka nevojë për shumë punë, jo premtime boshe”.

Ndryshim në këto 100 ditë thotë se nuk po sheh edhe një qytetar tjetër mitrovicas me inicialet S.H.

“Përgjatë këtyre ditëve qeverisje, nuk është se është vërejtur ndonjë ndryshim thelbësor, as në sferën e jetesës së qytetarëve, e as në infrastrukturë. Problemet me semaforë, komunikacion vazhdojnë që nga koha e Agim Bahtirit. Edhe çështja e mbeturinave, e as kanalizimit nëpër tre lumenjtë e Mitrovicës mbetet e pandryshueshme. Nuk shoh ndonjë ndryshim as për të mirë as për të keq”, deklaron ai për lajmi.net.

Kritika për qeverisjen 100-ditore të Hamzës ka edhe opozita në Mitrovicë.

Safet Kamberi, kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, përmend vonesën në emërimin e drejtorëve dhe mungesën e aktiviteteve.

“Kemi pritur që do të jetë më i angazhuar, por për këto 100 ditë nuk kemi vërejtur ndonjë aktivitet që jep shpresë te qytetarët. Kemi parë që ka zgjatur shumë emërimi i qeverisjes komunale, pra i ekzekutivit. Edhe pas 100 ditëve kemi ende mungesë të drejtorëve. Kjo tregon se qeverisja komunale ende nuk e ka të qartë ecjen më tutje”, pohon Kamberi për lajmi.net.

Ndërsa, aktivistja Neri Ferizi, thotë se marrë parasysh gjendjen në të cilën ishte komuna në kohën kur Hamza erdhi në pushtet, nuk kishin pritje të larta.

Ferizi përmend edhe disa nga punët e mira që sipas saj, janë kryer në këto 100 ditë.

“Duke pasur parasysh borxhet e trashëguara të Komunës, nuk është që kemi prit me ndodh ndonjë magji në 100 ditëshin e qeverisjes së tij. Deri tani kemi parë takime me akterë të ndryshëm dhe kemi parë që në disa pjesë të qytetit është rregulluar ndriçimi publik. Po ashtu, shitësit ambulantë janë larguar nga rruga”, deklaron ajo për lajmi.net.

Megjithatë, Ferizi ka kritika për përfshirjen e vogël të grave në pozita vendimmarrëse.

Por, thotë se për këtë çështje kanë marrë një premtim nga kryetari aktual, e nga i cili presin ta realizojë.

“Hamza, pas kritikave që i kemi bërë në një debat publik me të rreth përfshirjes së vogël të grave në pozita vendimmarrëse, apo në rastin e tillë vetëm tre drejtori janë të udhëhequra nga gratë – ai ka premtuar që të paktën edhe një drejtori e mbetur do të udhëhiqet nga një grua. Jemi ende në pritje të vendimit nga kryetari”.

Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, dha betimin si kryetar i Mitrovicës më 26 nëntor 2021.

Ai fitoi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, duke marrë mbi 50 për qind të votave.

Hamza erdhi në krye të Mitrovicës, pas një udhëheqje 8-vjeçare nga Agim Bahtiri i Lëvizjes Vetëvendosje. /Lajmi. net

Koha