Medi
02LAJME

PDK nisë emërimet me të njofshëm: Anëtarët e rinj të bordit të NP “Stacionit të Autobusëve” me prapavijë politike

Komuna e Mitrovicës ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve që kanë kaluar me sukses vlerësimin për të qenë anëtarë të bordit në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve” SH.A, njofton Mitropol.

Mirëpo, jo gjithçka është në rregull. Thuajse të gjithë të përzgjedhurit që kanë kaluar vlerësimin nga Komisioni i Aksionerëve janë njerëz të afërm të pushtetit.

Dukato 1

Komisioni i Aksionerëve i përbërë nga Drejtori i Prokurimit, Elvis Feka, asambleistja e PDK-së, Florina Xhemajli Çitaku dhe asambleisti i VV-së, Kushtrim Zeneli, me pikë maksimale kanë vlerësuar Bislim Imerin, ish-kryesues i Kuvendit Komunal nga radhët e AKR-së, tani anëtar i VV-së që nga 2019-ta, gjë që jep indikacione të mjaftueshme për ndikim politik në përzgjedhje dhe për kompromise politike mes PDK-së dhe VV-së.

Menjëherë pas tij, me 95 pikë radhitet një emër tjetër, e afërmja e kryetarit Bedri Hamza, ish-kandidatja e PDK-së për Asamblenë Komunale në Veri, Naxhije Hamza Xhema.

Pas Xhemës, nga Komisioni i Aksionerëve me 94 pikë gjithsejt është vlerësuar ish-basketbollisti, Naim Hajrizi.

Emri i tretë i afërt me pushtetin dhe përkrahëse e PDK-së edhe në zgjedhjet lokale është Diellza Uka, e vlerësuar me gjithsejt 86 pikë.

Siç shihet edhe në listën e siguruar nga “Mitropol”, për këtë bord kishin aplikuar gjithsej 12 persona, 2 prej të cilëve kanë munguar në intervistë.

Në lidhje me këto emërime ka refuzuar të flasë kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.

I pyetur në lidhje me emërimin e bordit ai ka thënë se sot është ditë vikendi dhe s’ka pranuar asgjë zyrtare.

“Jo vallahi sot vikend, ende s’kam pranu diçka zyrtare. Po, bisedojmë gjatë javës.”, ka thënë Hamza për “Mitropol”.

E i paçasshëm në telefon për portalin ishte drejtori i Prokurimit, Elvis Feka.

Ne kemi kontaktuar edhe me anëtarin e Komisioni të Aksionerëve, Kushtrim Zeneli, i cili ka mohuar të ketë ndikuar vet ai në përzgjedhjen e ndonjë kandidati.

Ai ka vlerësuar se kandidatët përgjithësisht kanë qenë të përgatitur dhe me përvojë menaxheriale dhe kanë treguar performancë të mirë në intervistë.

Kandidatët e pakënaqur me vlerësim të rezultateve mund të parashtrojnë ankesë në afatin prej 8 ditësh nga dita e këtij njoftimi.

Ankesa parashtrohet pranë komisionit kompetent per shqyrtimin e ankesave ne Komunën e Mitrovicës, gjersa vendimi u publikua më 8 korrik 2022./Mitropol/

Weelnes