
Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi nga PDK i ka reaguar ish-nënkryetarit Faruk Mujka nga VV pas kritikave të Mujkës për nepotizmin në konkurset e PDK-së, shkruan “Mitropol”.
Brahimi duke theksuar se Mujkën po e pengon siç thotë ai vendosja e ligjshmërisë dhe meritokracisë në komunën e Mitrovicës.
“E pengon sepse ligjshmëria dhe meritokracia janë “ambient” i papërshtatshëm për z.Mujka. Prandaj nuk po ndihet rehat.”, ka shkruar Brahimi.
Tutje Brahimi ka thënë se Mujka si duket ka harruar skandalet e tij dhe qeverisjes së tij, duke i përmendur disa prej gjërave që Brahimi i vlerëson si skandale të qeverisjes së kaluar.
Postimi i plotë:
Faruk Mujka paska fol për ligjshmëri🤦. Për skandale…
Paska harrur si duket skandalet e tij dhe qeverisjes së tij. Paska harruar skandalin e ashtuquajtur “ Teatri i babës” punësimin e të resë (nusës së djalit) në teatër në një pozitë që shumë është diskutuar! E paska harruar edhe skandalin kur i kishte dhuruar të birit të tij çmimin “Sportisti i vitit”. Paska harruar edhe akomodimin e kunatës në Stacionin e Autobusëve në menyrë shumë diskutabile. Paska harruar edhe skandalin që në kohën kur ka qenë nënkryetar komune në mes të parkut të qytetit u patën asfaltuar qindra metra asfalt. Paska harruar që gjatë kohës sa ka qenë nënkryetar komune ndërtimet pa leje dhe uzurpimi i hapsirave publike ishin bërë rregull. Paska harruar që në kohën sa ka qenë nënkryetar komune rreth 62 puntorë në sektorin e arsimit ishin angazhuar pa përfillur procedurat ligjore të rekrutimit (pa shpallur konkursin) dhe të njejtit ishin mashtruar nga pushteti i Mujkës duke mos u kompenzuar as edhe nje cent për punën e tyre. Paska harruar që gjatë kohës sa ka qenë nënkryetar komune pati mashtruar me atë projektin e kifleve nxënësit e shkollave fillore! Paska harruar që gjatë kohës sa ka qenë nënkryetar komune, e kishte futur komunën në borxhe rreth 10 milion euro. Paska harruar gjatë kohës sa ka qenë nënkryetar komune për skandalet me pronat publike ( objektin e ish-bankosit) etj.
Mujkën po e pengon vërtet vendosja e ligjshmërisë dhe meritokracisë në komunën e Mitrovicës. E pengon sepse ligjshmëria dhe meritokracia janë “ambient” i papërshtatshëm për z.Mujka. Prandaj nuk po ndihet rehat.
Por Mujka e di, ose duhet ta dijë që qeverisja aktuale e komunës së Mitrovicës është e përkushtuar, për mirëqeverisje, meritokraci, rend dhe ligj si dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët!








