Dukato 2
02LAJME

Lajçak dhe Escobar ndodhen në Mitrovicë, po takojnë përfaqësuesit serbë

Pas takimeve të shumta të ditëve të kaluara në kryeqytet dhe në mes të tensioneve të shtuara për shkak të vendimit të qeverisë së Kosovës për dokumentet dhe tabelat serbe, Mitrovica e Veriut u vizitua sot nga të dërguarit special të BE-së dhe SHBA-së për dialog, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar. Dyshja aktualisht ndodhen në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut, ku kanë nisur takimet me përfaqësuesit e Listës Serbe, transmeton “Mitropol”.

Aurora Group

Pak para orës 09:00 në ndërtesën e komunës në lagjen e Boshnjakëve erdhi zyrtari i parë amerikan, i shoqëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Rruga në këtë pjesë të qytetit ishte pothuajse e bllokuar, me patrullime të shtuara të policisë.

Pas tij në Mitrovicë ka ardhur edhe Lajçaku. Ai është pritur para ndërtesës së komunës nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.

Dyshja euro-amerikane më pas filloi një takim me zyrtarët serbë në veri. Në takim marrin pjesë kryetari i komunës së Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, si dhe kryetari i Listës Serbe dhe ministri i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiq, shkruan Kossev, transmeton ”Mitropol”.

Takimi përcillet nga një numër i madh i ekipeve mediatike, si nga Beogradi, Prishtina, ashtu edhe nga mediat vendore, por ende është i mbyllur për publikun.

Lajçak dhe Escobar kanë biseduar dje me kryeministrin Albin Kurti, presidente Vjosa Osmanni dhe liderë të opozitës në Prishtinë. Siç është konfirmuar, ata sot do të udhëtojnë edhe për në Beograd, ku do të bisedojnē me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e së ashtuquajturës zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq.

Siç deklaruan dje në Prishtinë, ata po qëndrojnë në Kosovë me qëllim që të parandalojnë përshkallëzimin e situatës më 1 shtator.

Pas takimit me krerët e institucioneve të Kosovës dhe partive opozitare, Escobar tha se pret që Beogradi dhe Prishtina të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe.

Ai tha gjithashtu se është siguruar se askush nuk dëshiron përshkallëzim dhe dhunë në 1 shtator.

Po ashtu, dyshja dyshohet se ka kërkuar që zbatimi i vendimit të qeverisë së Kosovës për dokumentet dhe targat serbe të shtyhet edhe për tre muaj./Mitropol/

Dukato 1