
Jo rrallëherë zyrtarët policorë hasin në përleshje e konflikte të ndryshme që ndodhin në rrugët e vendit. Një rast i tillë ka ndodhur edhe të dielën, afër Urës së Ibrit, ku një zyrtar policor ndërhyu në një rrahje, me ç’rast arrestoi personin e dyshuar.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një burrë, 30-vjeçar, i cili dyshohet se sulmoi fizikisht një grua, te ura kryesore mbi lumin Ibër, derisa e ndaloi polici, që fatmirësisht, ishte aty pranë kur ndodhi rasti.
I dyshuari R.D., u prangos nga polici, që kërkoi asistencë për ta shoqëruar të dyshuarin në stacion policor. Gjatë arrestimit, zyrtari policor është përballur edhe me kërcënim nga i dyshuari, që iu drejtuar se “me ty e kryj mandej, ki mi pagu krejt”.
Për shkak të kanosjes ndaj policit dhe sulmit ndaj viktimës së rastit, pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar vendim për caktimin e masës së ndalimit për 48 orë.








