Kurti: Borrell hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit trepalësh në Bruksel ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve.
Ai ka thënë se sot BE-ja ka propozuar që Kosova të vazhdojë me qortime, ndërsa Serbia të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve të Kosovës.
“Propozimi ishte që në vendimin për targat ilegale ta pezullojmë, pra gjobat dhe të vazhdojmë vetëm me qortimet, ndërsa në anën tjetër Serbia të pushojë me emitimin, prodhimin, lëshimin e targave në Serbi (targave ilegale), por për neve kjo nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet për atë për çfarë jemi ftuar, pra dakordimin me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve” – ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se afati për këtë marrëveshje ka qenë marsi i vitit 2023 dhe sipas Kurtit, “Borrell hoqi dorë nga ky afat dhe nga propozimi i BE-së”.
“Afati ka qenë marsi i vitit 2023. Pra po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje para marsit të vitit 2023. Me keqardhje e them se ndërmjetësit, në këtë rast Borrell, hoqi dorë nga afati i marsit të vitit 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve” – tha Kurti.
Kurti tutje tha se kur janë takuar në kuadër të Forumit për Paqe, Borrell, kishte thënë se propozimi për marrëveshjen finale nuk është franko-gjerman, por i BE-së.
“Kur u takuam në Paris në kuadër të Forumit për Paqe, Borrell, tha se propozimi nuk është franko-gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Në rregull pra, edhe ne ashtu do ta quajmë propozimi i BE-së. Mirëpo, sot po them me keqardhje, ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Kurti. /Kallxo.com/








