E frikshme: Dy fëmijë të mitur me nënën e tyre ndodheshin në QTA gjatë grabitjes me armë mbrëmë

Mbrëmë në ora 20:30 të mbrëmjes një hajn i moshës 40 vjeçare me inicialet F.R. U fut i maskuar dhe i armatosur në marketin QTA në rrugën “Rifat Vidishiqi” në Iliridë (ish-Tavnik), shkruan “Mitropol”.
Në grabitjen që kreu në market hajni dyshohet se vodhi mbi 20 mijë euro (shumë kjo e pakonfirmuar ende).
Nuk vonoi shumë dhe Policia e konfirmoi për “Mitropol” se i dyshuari u identifikua dhe u arrestua nga Policia e Kosovës.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta operative hetimore hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë NJRSh, pas dy orë hetimi kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin F. R., 40 vjeç, shtetas i Republikës se Kosovës. Arrestimi i të dyshuarit është bërë mbi dyshime të arsyeshme se sonte rreth orës 20:30, në rrugën “Rifat Vidishiqi” në Mitrovicë, i dyshuari i maskuar dhe nën kërcënimin e armës në një dyqan (market) ka grabitur një shumë të parave nga dyqani dhe kishte ikur në drejtim të panjohur.”, tha mbrëmë zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën e Jugut, Avni Zahiti për “Mitropol”.
Por çka ndodhi në market dhe kush gjendej brenda?
Gjatë aktit të grabitjes “Mitropol” mëson se grabitësi nxorri alltinë dhe ua drejtoi atë personave që ndodheshin brenda.
Në brendinë e marketit ndodheshin një grua me dy fëmijët e saj, Elvisin, 14 vjeç dhe Erionin 12 vjeç të cilët e kishin kryer blerjen dhe ishin duke e bërë pagesën në arkën ku ka ndodhë grabitja.
Këtë për “Mitropol” e konfirmoi për “Mitropol”, babai i fëmijëve, Esat Bojku, banor i rrugës “Xhevdet Ahmeti” në Iliridë.
“Ka hy plaçkitësi me allti në dorë dhe me maskë e kapuq të jaknes dhe e ka raportitë armën 2-3 herë dhe i kanë dalë fishekët nga arma pa e shkrepë fare, pasi dyshoj se s’ka qenë përdorues profesionist i armës ose ka pasë tremë dhe ka folë me zë të ulët, ka thënë “paret, paret”., tregon Bojku për “Mitropol”.
Si shpëtoi gruaja me dy fëmijët dhe kush e thirri Policinë?
Kur grabitësi po kërcënonte arkataren e QTA-së nën forcën e armës që mbante në duar, nëna mitrovicase arriti që t’i shpëtojë dy fëmijët e saj duke i nxjerrë jashtë me shpejtësi.
Me të dalë jashtë, banorja e Iliridës thirri Policinë me shpejtësi dhe qëndroi në kontakt me ta deri sa grabitësi doli nga marketi, siç rrëfen burri i saj, z. Bojku.
“Kanë ikë që të tretë jashtë shpejtë dhe gruaja ime nga qoshi i marketit i ka thirrë policinë dhe ka qëndruar në kontakt me ta deri kur ka dalë hajni nga marketi. Në ato çaste më ka kontaktu edhe mua dhe kur kam shku aty vetëm e pashë se policia ishin të pranishëm”, tregon ai.
Si është gendja e fëmijëve pas ngjarjes?
Babai i fëmijëve që rastisën të qëllonin në market kur u krye vjedhja rrëfen së fëmijët kanë marrë traumë nga ajo që u ka ndodhur.
Ai tregon se është detyruar që fëmijëve t’u jap qetësues pasi për çdo minutë fëmijët po dridhen në gjum duke iu paraftyruar grabitësi.
“Tash për tash jom t’u i mbajtë fëmijët me qetësues dhe s’kam gjum sepse janë tutë dhe çdo minutë vetëm t’u kcy n’gjum dhe t’u ju paraftyru grabitësi”, rrëfeu babai i fëmijëve për “Mitropol” në orë të hershme të mëngjesit kur edhe po qëndronte pranë tyre në gjum.
Ai ka fajësuar pronarët e marketit për gjendjen e sigurisë së marketit.
Aty është fajtor shefi i QTA-së sepse marketi është shumë i madh e asnjë sigurim aty, është katastrofë. Fëmijët e mij 14 dhe 12 vjeçar ishin aty pranë dhe iu drejtua arma fëmijëve. Nga pakujdesia dhe stresi ka mund me ardhë deri te më e keqja”, thotë Bojku.
Çka tash?
Hetuesit policorë kanë njoftuar se në koordinim me prokurorin e rastit janë duke ndërmarrë veprime të mëtutjeshme lidhur me rastin e veprës penale, grabitje.
Mitropol ka kontaktuar edhe me marketin QTA për të marrë përgjigje në lidhje me grabitjen dhe shumën e vjedhur mirëpo nuk ka pranuar ndonjë përgjigje deri në publikimin e artikullit.








