Active 2
02LAJMESHNETA

Ky është infermieri që u sulmua në Spitalin e Mitrovicës

Sot u raportua se një infermier i Spitalit Rajonal të Mitrovicës “Sami Haxhibeqiri” është sulmuar fizikisht nga disa persona në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. I dyshuari kryesor kishte shkuar në këtë qendër me miqtë e tij, teksa ishin të dehur, por u përballën me refuzimin e infermierit që t’i kontrollojë jashtë objektit të spitalit.

I dyshuari kryesor tashmë ndodhet në prangat e Policisë dhe Sinjali mëson se bëhet fjalë për Burim Idrizin, 43-vjeçar, i cili e ka sulmuar fizikisht infermierin Fehmi Manxholli, thonë burimet nga spitali.

Premium Store

Sipas informacioneve që ka Sinjali, infermieri e kishte udhëzuar të dyshuarin që ta dërgojë mikun e tij të dehur në shtëpinë e shëndetit për trajtim dhe jo në spitalin rajonal. Kjo siç duket e ka mllefosur të dyshuarin, i cili është hedhur në sulm, bashkë me të dyshuarit e tjerë.

Rasti është denoncuar menjëherë në Polici nga stafi i spitalit, me ç’rast është kapur i dyshuari kryesor, i cili po ashtu ka qenë i dehur dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku do të merren veprimet e nevojshme hetimore.

Në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar mbledhjen e informacioneve dhe analizimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë brenda spitalit, që do të zbardhin rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë përmes një postimi në Facebook.

“Në oborrin e spitalit kanë ardhur 5 qytetarë të cilët kanë qenë nën ndikim të alkoolit dhe kanë kërkuar nga infermieri që të dal jashtë objektit te spitalit për t’i dhënë shërbim pacientit, ku, infermieri ka refuzuar dhe ka thënë qe pacienti duhet të sillet në repart që paraprakisht të kontrollohet nga doktori kujdestar. Pas refuzimit të infermierit për të dal jashtë objektit ai është sulmuar fizikisht”, thuhet në njoftim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

Weelnes