Sveçla në konferencë të jashtëzakonshme: Policët e dorëhequr pjesë e sulmeve në veri

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të mbajtur sot, ka thënë se Policia e Kosovës është e gatshme për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve në veri me datën 18 tetor.
Edhe pse nuk ka ofruar asnjë plan ose strategji konkrete se si mund të shmangen tensionet, Sveçla deklaroi se vendimi për shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve i takon presidentes.
Megjithatë, ministri i Brendshëm deklaroi se Policia e Kosovës është gati.
“Unë mund të iu them përshtypjet por edhe bindjen time personale. Unë jam i bindur që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet e nevojshme që të garantojë të gjithë proceset demokratike në Kosovë. Për më shumë, normalisht që janë institucionet përgjegjëse që marrin vendimet. Presidentja e Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor që përgatit planin dhe i drejtohet presidentes për çfarëdo lloj alternative, për sa më takon mua, Policia e Kosovës po dëshmohet si një polici e aftë që të kryejë detyrat e veta ligjore. Ndërkohë po presim planin e KQZ-së lidhur me aktivitetet e parapara që ky proces të vazhdojë. Bazë këtij plani, Policia e Kosovës bën vlerësimet e nevojshme dhe rekomandimet për institucionet politike që përfundon me vendimin e presidente Osmani”, tha Sveçla, transmeton Nacionale.
Ai e mohoi që Policia e Kosovës nuk ka qenë e pranishme dje në veri për të ofruar siguri për qytetarët.
“Policia e Kosovës bën vlerësimet e duhura operative, marrin vendime bazë këtyre vlerësimeve. Policia e Kosovës tërë kohën ka qenë në territorin e kësaj komune, e angazhuar të ofrojë siguri për qytetarët dhe siç jeni dëshmitarë tërë kohën ka eleminuar pasojat e këtyre sulmeve terroriste të bandave kriminale”, tha Sveçla.
Edhe pse u pyet konkretisht për garancitë që situata nuk do të tensionohet, Sveçla tha se po punojnë t’i luftojnë grupet kriminale.
“Unë mund të iu them se Policia e Kosovës por jo vetëm, të gjitha institucionet e sigurisë, të gjithë zyrtarët e Kosovës, janë të angazhuar të parandalojnë, nëse ndodhin këto raste që keqbërësit apo kriminelët të vijnë para drejtësisë. Unë nuk pres diçka të mirë as nga Vuçiq e as nga qeveria e Serbisë që janë udhëehqësit e financuesit e këtyre grupeve, japin edhe mburojën politike, dhe nuk pres që këta në një moment të vendosin se do t’i lënë këto praktika. Është në obligimin e në detyrën e institucioneve të Kosovës që këto praktika e këta kriminelë të luftohen 24/7 dhe atë suksesshëm. Kjo është garancia, prej tyre nuk pres asgjë të mirë”, deklaroi më tutje ministri Sveçla
Sulmet u kryen nga ish-policët e Kosovës
Ministri Sveçla zbuloi edhe një detaj të pathënë më herët. Në mesin e sulmuesve të djeshëm të Policisë, Sveçla tha se janë ish-policët e Kosovës që kanë dhënë dorëheqje.
“Policia e Kosovës është duke bërë hetime intensive në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale. Tashmë siç e thashë edhe më herët kemi informacionet e para që janë duke u verifikuara me më shumë se një kanal. Po mbledhen dëshmitë, filmimet apo dëshmitarët okularë për këto aktivitete dhe për këta persona të cilët kanë qenë pjesë e kësaj veprimtarie terroriste. Sipas disa informatave që kemi, disa nga pjesëtarët e grupeve janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë dhënë dorëheqje kohëve të fundit”, tha Sveçla.
“Policia e Kosovës po angazhohet që të gjithë kriminelët e përfshirë në këtë sulm terrorist të sillen para drejtësisë. Kemi të dhënat e para nga terreni, qoftë nga Policia e rendit apo edhe nga Inteligjenca, e cila thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e ish pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Edhe një herë u dëshmua ajo që kemi thënë se konflikti në këto komuna nuk është mes etnive. Por qytetarët pa dallim etnie dhe bandat kriminale ekstremiste.
Pavarësisht kërcënimeve e sirenave të alarmit, qytetarët e Kosovës që jetojn atje nuk dolën të mbështesin kriminelët. Në ballafaqimin e shtetit ligjor me krimin, u dëshmua se qytetarët nuk përkrahën krimin. Institucionet e Kosovës janë në anën e së drejtës. Qëndrueshmëria jonë do të jetë garancë e triumfit të drejtësisë”, theksoi Xhelal Sveçla.
Ai paralajmëroi hetime të detajuara edhe nga institucionet e inteligjencës për të zbardhur sa më shpejt këto raste.
Çfarë ndodhi mbrëmë?
Të martën, disa grupe kriminale në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut e penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz. Fillimisht u dëmtuan zyrat e KQZ-së në Mitrovicë të Veriut e pastaj u dëgjuan për disa herë krisma e granta, për të cilat zyrtarë të Policisë së Kosovës deklaruan se ishin prodhim jugosllav.
Policia e Kosovës tha se “persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës”, duke përdorur “mjete të rrezikshme”.
“Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”- deklaruan zyrtarët e Policisë së Kosovës të martën në orët e mbrëmjes.
Për situatën atje, pati edhe reagime nga krerët shtetërorë të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “grupe të organizuara, me disa individë të maskuar” i sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe policët “me shok bomba dhe të shtëna në ajër”.
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti tha se bandat kriminale janë të vetëdijshme se po u vjen fundi dhe se bombat që i hedhin dhe maskat që i vendosin, janë pafuqia e tyre politike e popullore.







