Mitrovicasi Granit Musliu performon në Mynih në kuadër të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Tenori i muzikës klasike, Granit Musliu, në kuadër të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka performuar në një organizim në Mynih.
I riu nga Mitrovica ka kënduar nën përcjelljen e pianistes, Lule Elezit, në mbrëmjen e organizuar nga Konsullata e Kosovës në Mynih, shkruan “Mitropol”.

Granit Musliu ka lindur në Mitrovicë, fillimisht trajnimin e tij vokal e ka marrë në Universitetin e Prishtinës. Si solist, ai ka performuar rregullisht me Orkestrën Filharmonike të Kosovës dhe me filharmoninë Gjermane Rhine, ka dhënë koncerte në Shqipëri, Itali dhe Gjermani.

Ai është shpërblyer ndër të tjera me Çmimin e Madh të Konkursit Ars Kosova, çmimi i dytë i Çmimit Hamburg Mozart 2020 dhe çmimi i dytë i Konkursit Jorgija Truja me ftesë për një master class me Anna Pirozzi. Që nga sezoni 2021/22 ai është anëtar i shtëpisë operistike “Bayerische Staatsoper” në Mynih./Mitropol/








