Medi
LAJME

Rutte flet për Kosovën: Aty e kemi KFOR-in, Vuçiçin e kam mik të mirë, ani pse jo gjithmonë pajtohemi

Në kuadër të aktiviteteve që i paraprijnë Samitit të NATO-s, sot në Hagë u zhvillua një konferencë për media ku sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbajti një fjalim, shkruan Mitropol.

Në kuadër të fjalimit, Mark Rutte foli për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në ‘arkitekturën’ e sigurisë euroatlantike.

Active

Rutte theksoi se pesë nga tetë shtetet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë anëtare të NATO-s: Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia. Ai përmendi në mënyrë të veçantë edhe Kosovën, duke theksuar prezencën e trupave të NATO-s përmes misionit KFOR, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Bashkimin Evropian për çështjen e Bosnje e Hercegovinës.

Rutte theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut me vendet e rajonit, edhe kur ka mospajtime, duke e cilësuar këtë si element kyç për ruajtjen e stabilitetit.

“Bashkëpunimi i ngushtë i tyre është i rëndësishëm, dhe unë vetë kam qenë i përfshirë në dialog me Presidentin e Serbisë. Ne e njohim njëri-tjetrin gjatë – jemi miq të mirë. Megjithatë, nuk mund të biem gjithmonë dakord, por është thelbësore që dialogu të vazhdojë.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor, mund të jeni të sigurt se, si individualisht ashtu edhe kolektivisht, mbetemi shumë të fokusuar në atë pjesë të Evropës.”, tha Rutte.

Ai gjithashtu e përshkroi situatën aktuale të sigurisë globale si të ndryshuar thellësisht, sidomos pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Sipas tij, këto zhvillime e bëjnë edhe më të rëndësishëm Samitin e radhës të NATO-s, ku vendet anëtare pritet të konfirmojnë zotimet për mbrojtjen kolektive dhe për rritjen e kapaciteteve ushtarake.

“Duhet të jemi të përgatitur që çdo shtet anëtar të japë kontributin e tij kur të vijë momenti, jo vetëm në frymë, por edhe në praktikë,” deklaroi Rutte.

Samiti i Aleancës Veri-atlantike zhvillohet në Forumin Botëror me pjesëmarrjen e krerëve të 32 shteteve anëtare, mes të cilëve edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Samiti do zgjasë dy ditë, më 24-25 qershor.

VIDEO e fjalimit të Rutte.

Gazetari i Mitropol, Urall Boshnjaku do jetë i vetmi gazetar i akredituar nga mediet shqipe nga Kosova që do mbuloj drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht ngjarjen që konsiderohet si ngjarja kryesore e sigurisë në botë./Mitropol/

Dukato 1