Xhafer Preteni me mesazh të fuqishëm: Vajza me hixhab nuk është as tradhti, as asimilim – është bindje ndaj Zotit

Ish-luftëtari i UÇK-së, Xhafer Preteni, ka reaguar publikisht ndaj letrës së hapur të Profesor Ahmet Musës drejtuar vajzës së tij, pas vendimit të saj për të vendosur hixhabin në përputhje me rregullat e fesë islame, shkruan Mitropol.
Preteni i drejtohet profesorit me mirëkuptim dhe respekt, duke e ftuar që ta shohë vendimin e vajzës jo si largim, por si një formë të re të lidhjes shpirtërore me Zotin.
“Vajza juaj nuk e ka mohuar kombin, nuk është asimiluar, nuk e ka ndrruar as emrin që ju ja keni dhënë! Ajo ka mbetë Shqiptare, ka mbetë Qëndresë dhe ka mbetë bija e juaj!”, thekson Preteni në letrën e tij.
Ai e quan këtë veprim jo si një akt kundër familjes apo kombit, por si pjesë e lirisë personale dhe shpirtërore që çdo njeri ka të drejtë ta përjetojë.
Postimi i plotë:
Reagim ndaj letrës publike të Profesorit Ahmet Musa drejtuar vajzës së tij me rastin e vendosjës së saj për ta vënë hixhabin sipas dispozitave të Fesë Islame.
I nderuari Profesor Shqiptar Shaliani!
E lexova me vëmendje dhe me dhembje letrën tuaj, ku shprehni zhgënjimin dhe mllefin për vendosjen e vajzës suaj që të mbulohet konform rregullave të Fesë Islame të cilës i takon.
Dhimbja juaj është e prekshme dhe e kuptueshme. Keni investuar jetën tuaj me bindje të thella, me përkushtim ndaj kombit, atdheut dhe vlerave që i keni konsideruar themel të jetës dhe familjes. Është e natyrshme të ndiheni i tronditur kur një pjesë e shpirtit tuaj, vajza juaj Qëndresa, po ecë në një udhë tjetër nga ajo që ju e shihni si të vërtetë.
Ndoshta kjo është një mundësi, jo për të humbur njëri-tjetrin, por për të gjetur një formë më të thellë dashurie, atë që nuk kërkon pasqyrim të plotë, por që pranon lirinë dhe pavarësinë shpirtërore të tjetrit.
Besimi nuk është inponim, është thirrje për të besuar. Ai nuk lind me detyrim, por me bindje dhe përjetim personal. Vajza juaj nuk e ka mohuar kombin, nuk është asimiluar, nuk e ka ndrruar as emrin që ju ja keni dhënë! Ajo ka mbetë Shqiptare, ka mbetë Qëndresë dhe ka mbetë bija e juaj!
Ajo ka vendosë ti bindet Krijuesit të saj edhe me veshjen e një petku që për traditën tonë kombëtare është pak i pazakont, por është obligim fetar dhe shprehje e bindjes ndaj urdhërit të Zotit.
Madje është shumë më e mbarë se sa veshjet ekstravagante apo thënë më ndryshe zhveshjet që po i bëjnë vajzat dhe gratë në shenjë “kulture dhe qytetrimi” në kohën që po jetojmë.
Ky veprim i saj nuk është tradhti, as ndaj teje as ndaj familjes e as kombit! Është një udhëtim i saj drejt një kulture dhe qytetrimi në kuptimin e plotë të fjalës. Kulture dhe qytetrimi Evropian ku secili individ ka të drejt të vendosë për besimin dhe mënyrën e jetës siq e ndien vet!
A nuk është Zoti vetë ai që i jep njeriut lirinë për të zgjedhur, për të pyetur, për të dyshuar e më në fund për të besuar me zemër të bindur, jo me inponim?
A nuk e meriton vajza juaj këtë hapësirë që të ndërtojë raportin e saj me Zotin, ashtu siç beson vet?
Ashtu siç vendosët ju kur zgjodhët me besu ndryshe Zotin dhe u konvertuat në Fenë Katolike.
As ti nuk u tjetësove, nuk u asimilove. Mbete Shqiptar! Mbete mik i mirë, familjar i mirë dhe baba i mirë për Qëndresën!
Madje ajo, vajza jote Qëndresa, nuk zbrazi mllef në ty.
Nuk shkroi leter publike.
Nuk të tha mos më quaj bijë!
Mllefi, për fat të keq, vetëm thellon hendekun. Por dialogu dhe dashuria janë ura që mund të na sjellin më pranë njëri-tjetrit.
Mos e shihni këtë ndryshim si humbje, por si një thirrje për ta dashur vajzën tuaj siç është , jo siç dëshironit ta kishit.
Në fund të fundit, çdo besim që nuk gjeneron dashuri, nuk është besim i gjallë.
Me respekt dhe mirëkuptim,
Xhafer Preteni
01.07.2025
Mitrovicë








