Nga ditari i arsimit te dhuna e regjimit – rrëfimi tronditës i profesoreshës Valbone Dobroshi Prekazi për vitet e paraluftës në arsimin mitrovicas

Në kuadër të ciklit të emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës” ku në fokus janë rrëfimet e grave mitrovicase për sakrificat dhe sfidat gjatë viteve të okupimit, pra viteve 1980-90, një nga gratë që ka dhënë kontribut të shquar në arsim është profesoresha Valbone Dobroshi Prekazi.
Profesoresha Valbone Dobroshi Prekazi e cila ka kontribuar për plot 38 vite në arsim, rrëfimin e saj e nis duke treguar se si nisi e gjithë karriera e saj.
“Në vitin 1981 u punësova në shkollën e mesme teknike, asokohe “Boris Kidriç”. Kur e fillova punësimin në vitet e 80ta isha shumë entuziaste sepse hasa në nxënës shumë të mirë dhe kolektiv jashtëzakonisht të çmuar. Isha vetëm 25 vjeçare kur e kapa ditarin në dorë”, u shpreh ajo.
“Me kalimin e viteve ‘80-ta, çdoherë situata vinte tu keqësu, tu acaru. Fillun me na vëzhgu persona nga organe të punëve të brendshme. Ata vijshin civil, silleshin koridoreve e i vëzhgonin nxënësit, dhe muret lypshin shkrime iniciale për të cilat nxënësit dëboheshin e arrestoheshin. Në vitin ‘87 unë isha kujdestare e klasës, për një shkrim të një nxënësi u ndëshku komplet familja e atij nxënësi, nxënësi u përjashtu, baba iu arrestu. Vetëm pse e ka shkru në tabelë: Tash është muaji mars, muaji i demonstratave. Një javë ditë mua e kolegen Drita Idrizi na kanë marrë në pytje nga Ministria e Punëve të Brendshme”, rrëfeu ajo, duke thënë se atë ngjarje e quan fragment të jetës së saj.
“Ishim të renditur një klasë shqiptare e një klasë serbe. Kujdestarinë kur e kishim, në koridorin na qitshin dy palëve një serb e një shqiptar. Çdo mbledhje qe u mbajt janë qel e mbyll në gjuhën serbo-kroate, të gjithë jemi detyru dashtë a pa dashtë me fol në gjuhën e tyre se ata menjëherë janë revoltu, e ne jemi dashtë me u përshtat”, tregon tutje Dobroshi Prekazi.
Tutje profesoresha mitrovicase thotë se trazirat në Mitrovicë, i kanë tejkaluar dhe kanë mbijetuar në vitet e 80ta, por vitet e 90ta kanë qenë shumë më të vështira. Ajo plot emocion rrëfen një nga ngjarjet që i ka përjetuar në ditën e fundit të punës.
“Viti 1991 pasi përfundoi viti shkollor, drejtoria ishte serbe ata fillun me i largu bankat e karriget me arsyetimin se donin me i rregullu. Vinte provimi i mbrojtjes së temës së maturës që ishte pjesa përfundimtare e maturës. Kështu që ne në elektro i kishim tri profile… u ndamë në tri komisione, unë isha kryetare e komisionit, u ndamë në tri klasë dhe nxënësit që kishim me i pyt ishin 18 djemë rrinin në dorë me nga një kopje në dorë. Duke i pyet nxënësit filluan të dëgjoheshin autoblindat, disa ecje ushtarake dhe ne filluam me përshpejtu procesin e të pyeturit. U tham djemve futini dokumentet nën bluza edhe me shku sa ma shpejtë në shtëpi. E qeli deren drejtoresha serbe me katër policë, pyeti çka po bëni këtu e ku janë nxënësit. Nxënësi i fundit na ngeci në klasë, i thash qele dritaren kërce e pasi shkoi ai unë ja hodha dokumentet e i thash dërgoji dokumentet në kafen përballë, dhe thuaji pronari të kafiterisë që t’i fshehë në veturë. Na i kërkonin policia dokumentet ne si kishim, me fyerje e sharje na dërgun në sallën e arsimtarëve. Ashtu na detyroi drejtoresha. Tentimi ishte me i shky dokumentacionin, e me i mësu emrat e djemve me i dërgu në ushtri”, tregoi ajo.
Dobroshi Prekazi po ashtu thotë se të nesërmen dyert e shkollës kanë qenë të mbyllura me dry, dhe valonin listat me emrat e mësdimdhënësve të larguar nga shkolla, në mesin e tyre ka qenë edhe emri i saj.
“Për 10 vite nuk ka pasë fare mbrëmje mature. Nuk kemi ditë çka o mbramja e maturës, se çdoherë situata ka qenë keq e ma keq. Situata të randa”, vazhdoi rrëfimin ajo.
Profesoresha tha se me kalimin e kohës u hapën disa shtigje të reja dhe vazhduan angazhimin në shkollat-shtëpija falë popullit shqiptar.
“Përveç mësimdhënësve që mbanin mësim, ndëshkoheshin edhe ata qytetarë që i lironin shtëpijat e tyre për të mbajt mësim”, tha ajo.
“Me kalimin e viteve ja nisën me u reduktu, nisën me shku në Suedi, Norvegji e Finlandë. Ja nisën me na u braktis shkollat. Nga viti 94-96 numri i nxënësve nisi me u përgjysmu, se prindërit iu largunë nga puna ata i dëbunë dhe fmitë ishin të rrezikum, po si t’i mbajnë më së pari çështja sociale”, u shpreh profesoresha.
Ajo tregon se si paramilitarët serbë ushtronin dhunë ndaj mësimdhënësve shqiptarë në sy të nxënësve.
“Çdo javë ka pasë rrahje. Vëllaun tem e kanë rraf para nxënësve të tij, kinse ka dalë jashtë programit. Kanë ardh nxënësit në shtëpi me më tregu, kështu kështu ka ndodhë. Kolegen time e kanë shti me kap stufën e nxehtë me kap me dorë. Në ato raste mundoheshim me i largu sa ma shpejtë nxënësit.”, rrëfeu ajo.
Ndër tjerash ajo foli edhe për helmimet e viteve të 90-ta që iu bënë nxënësve.
“Helmimet i bënin në mënyrë shumë tinëzare, shumë barbare. Disa helme në formë shkumësi i shtishin natën e ato e lëshojshin njëfarë ere që i bënte nxënësit të alivanoseshin, interesant më shumë ndikoheshin vajzat, gjinia femërore”, u shpreh Dobroshi Prekazi.
Tutje ajo tregon edhe se si u mbyllën shkollat në mars të vitit 1999.
“Familja ime pati atë fat, dy javë qëndruam në shtëpi. Pas dy jave lagjjja u boshatis se kanë ardh policia me ushtri e kanë boshatis krejt lagjën. Ne kemi pasë fatin kemi hy në bodrum, 50 militarë kanë hy në oborr edhe njëri me automat na qiti jashtë krejtve, tha jashtë krejt edhe drejtimi për Shqipëri. Ma ndalën kunatin më të ri edhe djalin tim, i mbështetën për muri, ne mendum që po dojnë me i vra. Po na lirun edhe u largum prej aty”, tha ajo.
“Një oficer më i artikulum, me më shumë grada tha ndëgjoni ju duheni me braktis Bajrin sepse NATO-ja po i sulmon kazermat dhe jeni shumë të rrezikum për jetën, andaj duheni me i braktis shtëpijat dhe më së miri është të shkoni në Shqipëri.”, përfundoi ajo duke thënë se nuk shkuan në Shqipëri, por u strehuan tek disa familjarë të tyre në Kosovë për një kohë.
Tutje profesoresha tha se mësimdhënien e ka vazhduar deri në vitin 2019 dhe në po të njëjtën shkollë që ka filluar, në shkollën teknike.
Mes tjerash ajo rrëfen edhe një rast prekës të një gjenerate të pasluftës.
“Ishin brezi i parë i pasluftës në elektroteknikë, 2000-2004. Ishin tre Fatona, dy prej tyre edhe mbiemrin e njëjtë. Te tre nxënës të shkëlqyeshëm. Çdo herë që kisha me ta ju thosha Zoti ju bekoftë. A din çka kisha pasë dëshirë me ju pa juve, që po shkoni në NASA. Kalun vitet, ishte viti 2009-2010, isha në Migjen duke dhënë mësim edhe po vjen një punonjës më tha po të pret një burrë. Po dal unë kish ardh Fatoni, po cili se disha. E pyeta a je bo ministër. Tha jo ministër nuk jam bo, po punoj në ministri. Tha kam ardh me ju tregu që Qeveria po më çon në Amerikë për specializim. Fillova me qajtë. Ma dhuroi për dhuratë edhe një libër. Duke qajt hyra në sallë të arsimtarëve, për mua ishte tepër emocion, u përmbusha”, rrëfeu profesoresha plot emocion.
Valbone Dobroshi Prekazi ka qenë e angazhuar edhe si asambleiste në Kuvendin Komunal të Komunës së Mitrovicës, ku fokusi i saj ka qenë në arsim.
“Nuk kishim laboratore në shkolla, për ata kam bë shumë kërkesa. Si dhe për lagjen Bajr, për ata e kam ngrit zërin, kam pasë disa kërkesa. Jam mundu edhe atë punë me nderë me e kry”, tha ajo.
Pasi është pensionuar profesoresha Valbone Dobroshi Prekazi e ka themeluar klubin e leximit të grave, i cili vazhdon të funksionoj ende.
“Unë çdoherë kam qenë pasionante e librit. Librin kurrë se kam lënë anash. Në vitin 2009-2012 une e përfundova edhe një fakultet baçelor për Menaxhment dhe Matematikë, pak për nevojë pak për dëshirë e përfundova edhe një fakultet. Mandej edhe magjistraturën 2012-2015. Në dhjetor të 2022-tës e shpalla një klub “Gratë e Mitrovicës lexojnë”. Me takimin e parë mu afruan 18 gra. Ishte një pasion i imi që mu përmbush zemra. Takimin e parë e moderoi vajza ime Nora, të dytin Arta Ibishi Çitaku, të tretin Anisa Suhodolli mandej vazhdova unë vet. Deri më tani janë mbajt 12 takime”, tregoi ajo.
Në fund profesoresha Valbone Dobroshi Prekazi foli edhe për një libër të ri të cilin dëshiron ta boton.
“Ka disa vite që po e shkruaj librin. I thuri disa tema. Duke fillu nga vitet 30t deri te vitet e 80-ta. Etapa të ndryshme kohore, si personazh janë tri femra, për jetën e tyre. Libri do të quhet ‘Tri femra të forta’. Jam në pritje të një shtëpie botuese”, përfundoi ajo.

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.








