Aurora Group
02KOSOVËLAJME

“Futni dokumentet nën bluzë dhe ikni”, rrëfimi i profesoreshës mitrovicase që sfidoi okupimin

Në kuadër të ciklit të emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës”, është publikuar rrëfimi i profesoreshës së njohur mitrovicase, Valbone Dobroshi Prekazi, e cila për 38 vite kontribuoi në arsim, në periudha të vështira të historisë shqiptare.

Në intervistën e saj, Dobroshi Prekazi ndan përjetime të forta nga vitet e okupimit serb, përfshirë përndjekjet nga policia, ndëshkimin e nxënësve për shkrime në tabelë, helmimet misterioze nëpër shkolla, largimet masive nga puna, si dhe mbylljen e institucioneve arsimore në vitin 1999.

Dukato 1

“Vijshin civilë nëpër korridore, i vëzhgonin nxënësit. Për një fjali në tabelë, e përjashtonin nxënësin, arrestohej i ati, e ne na thërrisnin në Ministri për marrje në pyetje.”, tregoi ajo.

Ajo rrëfen me emocion ditën e fundit të punës para luftës, përvojat me nxënësit, rrahjet ndaj mësimdhënësve shqiptarë dhe sakrificat për të mbajtur gjallë mësimin në shtëpitë e qytetarëve.

Një nga ngjarjet më të rënda ajo e përjetoi në vitin 1991, kur gjatë një provimi maturantësh, procesi i vlerësimit u ndërpre nga forcat serbe.

“Kur dëgjuam autoblindat, u thashë nxënësve ‘Futini dokumentet nën bluzë dhe ikni.’ Policët hynë me forcë, na kërkonin emrat e nxënësve për t’i dërguar në ushtri.”, rrëfeu ajo.

Pas luftës, ajo vazhdoi punën në të njëjtën shkollë ku kishte nisur karrierën dhe sot, pas pensionimit është themeluese e klubit të leximit “Gratë e Mitrovicës lexojnë”, si dhe është në përgatitje të librit të saj “Tri femra të forta”.

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Active