Trump paralajmëron tarifa 100% ndaj Rusisë – shpall marrëveshje për armë drejt Ukrainës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje për dërgimin e armëve drejt Ukrainës, shkruan Mitropol.
Përmes një deklarate të dhënë mbi qëndrimin e tij ndaj NATO-s dhe luftës në Ukrainë, gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka theksuar se pajisjet ushtarake më moderne do të prodhohen në SHBA, por do të financohen nga shtetet evropiane.
“Ata (evropianët) do t’i marrin armët dhe do të paguajnë për to. Ne nuk po paguajmë, thjesht po i prodhojmë” ka deklaruar ai.
Ndërkohë, në lidhje me Rusinë, Trump ka shprehur zhgënjim të thellë ndaj Vladimir Putinit, duke theksuar se kishte pritur që një marrëveshje të arrihej dy muaj më parë.
“Jemi shumë, shumë të pakënaqur me ta”, është shprehur Trump, teksa ka paralajmëruar tarifa të rënda prej 100% nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 50 ditësh.







