Bajrami për deputetët e VV-së: Po shkelin Kushtetutën – organet e drejtësisë të veprojnë

Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët njëkohësisht vazhdojnë të mbajnë pozitat si ministra në detyrë në Qeveri, shkruan Mitropol.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka theksuar se këta deputetë, përmes veprimeve të tyre, po sfidojnë rendin kushtetues dhe po rëndojnë jetën e qytetarëve.
Ajo ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të ndërmarrin veprime konkrete.
Në reagimin e saj, Bajrami ka përmendur edhe katër pika që, sipas saj, dëshmojnë se deputetët e VV-së janë në shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe Kushtetutës.
Reagimi i plotë:
Disa sqarime për deputetët që po kryjnë vepra penale duke mbjtur të uzurpuara pozitat qeveritare
E para, lëndë në Gjykatë Kushtetuese mund të dërgojnë vetëm deputetët që kanë fituar mandatin, që janë certifikuar, që janë betuar dhe që VOTOJNË në Parlamentin e Kosovës.
E thjeshtë, nëse nuk je deputet nuk mund votosh në Parlament.
Ligji dhe Kushtetuta e kanë kufizuar ndërsa Gjykata Supreme e ka sqaruar përfundimisht se deputeti nuk mund të jetë në dy funksione.
E dyta, Kushtetuta në nenin 70 e thotë se mandati i deputetit fillon në ditën kur certifikohen zgjedhjet. S’je deputet nëse s’ke bërë betim, s’mund të jesh deputet nëse je i emëruar anëtar i Qeverisë.
E treta, Neni 26 i Ligjit për Qeverinë e thotë qartë se “Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”.
E katërta dhe po aq e rëndësishme: Qeveria në dorëheqje NUK lejohet të miratojë as STRATEGJI dhe madje as KONCEPT DOKUMENT.
Pra, me Ligj që e kanë miratuar e hartuar vetë, e kanë ndalu të miratojnë dokumente që janë më pak të rëndësishme se aktet ligjore e nënligjore.
Duke e bllokuar Kuvendin e Kosovës, duke rënduar jetën e qytetarëve për çdo ditë, deputetët e Vetëvendosjes po sfidojnë rendin ligjor e kushtetues të Kosovës.
Duke e ditur se po shkelin ligjet dhe kushtetutën dhe rrjedhimisht po kryejnë vepra penale kanë nisur fushatën e viktimizimit dhe propagandës se gjyqësori po përgatit arrestimin e “ministrave” në llogari të partive tjera.
U bëj thirrje edhe një herë organeve të drejtësisë të veprojnë, të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën dhe të vlejë parimi për të gjithë: ASKUSH MBI LIGJIN!








