Izmaku : Nëse propozohet emri i Limajt – të hënën mund të konstituohet Kuvendi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se takimi mes kryetarit të kësaj partie, Famir Limaj dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, do të zhvillohet në pasditen e së shtunës, shkruan Mitropol.
Seanca e re për konstituim të Kuvendit do të mbahet të shtunën me fillim nga ora 11:00.
“Ne qëndrojmë me kërkesën tonë – që mendojmë se është e arsyeshme – për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Izmaku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, deri më tani nuk ka ndonjë sinjal të qartë nga Lëvizja Vetëvendosje se mund të arrihet një marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, por “ekziston një ambient pozitiv”.
Më herët gjatë ditës, Limaj është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.








