Mesazhe provokuese në objektin sportiv të Leposaviqit: “Kosovo je Srbija”

Gjatë mëngjesit të djeshëm, disa persona të panjohur kanë lënë mesazhe me përmbajtje nacionaliste në një objekt publik në veri, më saktësisht në Leposaviq, shkruan Mitropol.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 09:00, ku një punëtor që po kryente punime në stadiumin e qytetit të Leposaviqit ka vërejtur mbishkrime të shkruara me ngjyrë të kuqe në muret e zhveshtoreve të stadiumit.
Në mesin e mbishkrimeve kishte mesazhe të hapura politike si: “Kosovo je Srbija”, “Tito”, “Bože čuvaj”, “Todić Zoran”, e të tjera.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, është njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila pas vlerësimit të shkresave dhe fotografive nga vendi i ngjarjes ka konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale, dhe se rasti duhet të trajtohet si kundërvajtje.







