Aurora Group
LAJME

Shtatë ditë deri në përfundimin e afatit të Kushtetueses – çfarë pritet të ndodhë?



Kanë mbetur edhe shtatë ditë nga 26 korriku – afati i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët për konstituim të Kuvendit të Kosovës, mirëpo institucionet e reja ende nuk janë formuar, shkruan Mitropol.

Mosdakordimi për arritjen e një marrëveshjeje politike ndërmjet liderit të LVV-së, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, dhe liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në takimin e së shtunës, pritet të sjellë situatën e njëjtë edhe në seancën e së hënës.

Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja.

Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet, ndërsa partitë politike të përfaqësuara në të nuk po arrijnë konsensus për zgjedhjen e kryekuvendarit dhe kryesisë së legjislativit.

Kuvendi të shtunën dështoi për herë të 49-të në konstituimin e legjislaturës së nëntë. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka nxjerrë vendim ku obligon deputetët që deri më 26 korrik të konstituojnë legjislaturën e nëntë.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, ka të drejtën e propozimit të kryekuvendarit, mirëpo e propozuara e tyre, Albulena Haxhiu, në gjashtë raste në votim të hapur nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post.

Si pasojë e kësaj, kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i kësaj partie, Avni Dehari, ka marrë vendim që zgjedhja e kryeparlamentarit të bëhet në votim të fshehtë.

Një gjë e tillë nuk po pranohet nga partitë që deri tani ishin në opozitë. Të njëjtat nuk po votojnë për formimin e komisionit verifikues, pasi sipas tyre ai është antikushtetues.

Active