Maqedonci takohet me homologun turk: FSK drejt vetëqëndrueshmërisë me fabrikën e municionit

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim të rëndësishëm me homologun turk, ministrin Yasar Guler, shkruan Mitropol.
Në fokus të këtij takimi ishin ishin zhvillimet gjeopolitike, forcimi i kapaciteteve ushtarake të Kosovës dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.
Maqedonci vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve është jetik për stabilitetin rajonal.
“Takimi ishte jashtëzakonisht pozitiv dhe produktiv. Diskutuam mundësi konkrete për ngritjen e kapaciteteve të reja të ushtrisë së Kosovës”, është shprehur tutje Maqedonci.
Ai gjithashtu bëri të ditur se një nga temat kyçe të diskutimit ishte edhe funksionalizimi i fabrikës së municionit në Kosovë – projekt ky që do të fuqizojë ndjeshëm FSK-në dhe do ta bëjë atë më të vetëqëndrueshme në aspektin logjistik.
Sipas Maqedoncit, ky investim do të pozicionojë Kosovën si një faktor më të fortë në arkitekturën e sigurisë rajonale, duke kontribuar në paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Të dy ministrat u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë, duke e konsideruar atë si element kyç për përballimin e sfidave të përbashkëta në fushën e mbrojtjes.







