Aurora Group
LAJME

Maqedonci i përgjigjet Gashiqit: Serbia gjenerator i destabilizimit dhe krimit në Ballkan


Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së homologut të tij serb, Millosh Gashiq, i cili akuzoi Qeverinë e Kosovës se po “sajon luftën kundër krimit për qëllime terrori dhe spastrimi etnik”, shkruan Mitropol.

Përmes një reagimi në Facebook,Maqedonci e cilësoi këtë deklaratë si vazhdimësi e retorikës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe një trashëgimi ideologjike e ish-diktatorit Sllobodan Millosheviq.

Ai e akuzoi Serbinë se përmes një lufte hibride — që përfshin militarizimin e kufirit me Kosovën, mbështetjen për grupe të armatosura kriminale si ai i Millan Radoiçiqit, si dhe përhapjen e dezinformatave — po synon destabilizimin e qëllimshëm të Kosovës dhe minimin e rendit kushtetues.

“Politika shtetërore e Serbisë mbetet burimi kryesor i destabilitetit në Ballkanin Perëndimor,” u shpreh Maqedonci.

Ministri gjithashtu denoncoi si të pabaza akuzat e Serbisë se Qeveria e Kosovës po ndjek politika përjashtuese ndaj komuniteteve jo-shqiptare. “Pikërisht Qeveria Kurti po gëzon mbështetje të gjerë nga komunitetet jo-shumicë, përfshirë edhe atë serb, falë një qeverisjeje që bazohet në drejtësi dhe barazi,” deklaroi ai.

Në përmbyllje, Maqedonci garantoi se Republika e Kosovës do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të sovranitetit, rendit dhe ligjit, duke ecur me vendosmëri drejt integrimeve euro-atlantike dhe në promovimin e vlerave demokratike.

Weelnes