Inspektorati Sanitar mbyll përkohësisht pishinën e Gërmisë

Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka njoftuar për mbylljen e përkohshme të pishinës së Gërmisë në Prishtinë, shkruan Mitropol.
Mbyllja është bërë pas një raporti të IKShPK-së, që konstaton se uji i kësaj pishine nuk i plotësoi standardet e sigurisë dhe higjienës.
Ky vendim është marrë për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm për qytetarët që frekuentojnë këtë hapësirë rekreative.
IKShPK njoftoi mëngjesin e sotëm se, në bazë të analizave laboratorike të ujit të pishinës së Gërmisë, të marra më 19 korrik, parametrat mikrobiologjikë nuk plotësuan standardet.
Ndërkaq, IKShPK thotë mostra janë marrë edhe më 23 korrik, teksa thekson se rezultatet pritet të dalin gjatë të premtes .
Instituti tha se në momentin që rezultatet e reja do të jenë të disponueshme, qytetarët do të njoftohen përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të IKShPK-së.







