Rrezikoi qytetarët duke vozitur në trotuar, Policia e Kosovës dënon mërgimtarin, njoftohen edhe autoritetet zvicerane

Një tejkalim i rrezikshëm është regjistruar më 24 korrik në qytetin e Gjilanit, ku një automjet tip Audi S6 me targa zvicerane (TG) ka kryer një manovër të ndaluar duke tejkaluar automjetet përmes trotuarit në anën e djathtë, në zonën e një udhëkryqi, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e pjesëmarrësve në trafik, shkruan Mitropol.
Ngjarja u bë publike falë pamjeve të publikuara nga qytetarët dhe mediat në rrjetet sociale, të cilët kanë dokumentuar momentin e shkeljes.
Policia e Kosovës, përkatësisht njësiti rajonal i komunikacionit rrugor në Gjilan, ka reaguar menjëherë duke identifikuar vozitësin dhe shqiptuar gjobë.
Bazuar në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës për bashkëpunim në trajtimin e kundërvajtjeve të shtetasve të secilit shtet, rasti është përcjellë autoriteteve zvicerane për trajtim të mëtejmë.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë rregullat e trafikut dhe të raportojnë çdo sjellje të rrezikshme në rrugë, qoftë në stacionin më të afërt policor, apo përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, në email info@kosovopolice.com, apo në numrat 192 dhe 038 508 07001.







