Aurora Group
LAJME

OBSH: Dërgimi i vazhdueshëm i furnizimeve mjekësore në Gazë është jetik

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tha se dërgesat e vazhdueshme të furnizimeve mjekësore në Gazë janë “jetike”, teksa kamionët e OBSH-së me ndihma u nisën drejt kufirit të mërkurën, shkruan Mitropol.

Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se agjencia e Kombeve të Bashkuara për shëndetësi ka nisur dhjetë kamionë nga El-Arish në Egjipt drejt pikëkalimit kufirtar Kerem në Izrael për në Rripin e Gazës.

Active

Kamionët po transportojnë “ilaçe esenciale, pajisje laboratorike dhe për testim të ujit”, tha ai, teksa edhe dy kamionë të tjerë me furnizime mjekësore, së bashku me doza të gjakut, pritet që të nisen drejt Gazës të enjten.

“Të gjitha furnizimet e OBSH-së do të dërgohen më pas në Gazë, së bashku me tre kamionë me furnizime mjekësore të dërguar nga partnerët tanë shëndetësorë”, u shpreh Tedros në platformën X.

Këtë javë, Izraeli nisi ndalesa të përditshme në operacionet ushtarake në disa zona të Gazës dhe hapi korridore të sigurta për të mundësuar shpërndarjen e ushqimit nga agjencitë e OKB-së dhe organizata të tjera humanitare në këtë territor ku jetojnë mbi 2 milionë banorë.

OBSH-ja tha se në Gazë, sulmet ajrore dhe mungesa e furnizimeve mjekësore, ushqimore dhe të ujit kanë bërë që sistemi shëndetësor të jetë “pothuajse i shkatërruar”. Shumë spitale janë jashtë funksionit, ndërsa të tjerat, sipas OBSH-së, mezi po funksionojnë.

Kujtojmë se lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Koha