17 institucione të pavarura pësojnë nga bllokada në Kuvend

Komisioni i Pavarur i Mediave është një nga institucionet tashmë jofunksionale si pasojë e moskontituimit të Kuvendit derisa institucioni i Avokatit të Popullit është duke funksionuar me pjesëtarë që u ka kaluar mandati, shkruan Mitropol.
Zëdhënësi i Institucionit të Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku, thotë se zëvendësimi i anëtarëve të cilëve u ka kaluar mandati ka mbetur peng si pasojë e bllokadës në Kuvend, ndonëse siç thekson, deri më tani nuk ka pasur ngecje të punës.
“Avokati i populli ka informuar kuvendin dhe jemi ne pritje derisa te formohet kuvendi dhe të vazhdojmë me procedura deri këta zv vazhdojnë punën e tyre deri ne ardhjen e zëvendësve të tjerë”, është shprehur tutje Çollaku.
Por nga bllokada në Kuvend nuk pësuan vetëm KPM-ja e institucioni i Avokatit të Popullit.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi listojnë një numër institucionesh të tjera të pavarura të cilat funksionojnë me mungesa të anëtarëve ose janë jofunksionale për shkak të mosveprimit të Kuvendit.
“Kjo situatë nuk është lidhur vetëm në moskonstituim të kuvendit por edhe mospërmbushjen e obligimeve nga legjislatura e kaluara pritet në të ardhmen te rritet numri i institucioneve që janë jofunksionale për shkak të mungesës e anëtareve që duhet të zgjidhen nga Kuvendi”, thuhet nga IKD-ja.
Kujtojmë se të shtunën e kaluar për 54 herë më radhë deputetët dështuan ta konstituojnë Kuvendin, dhe tashmë me masën e Kushtetueses deputetët nuk mund të marrin vendime deri më 8 gusht.








