Active 2
LAJME

Një ditë para protestës nga OVL UÇK iu vazhdohet paraburgimi Thaçit, Smakajt, Kilajt e Fazliut


Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut ku ata së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, shkruan Mitropol.

Katër vendimet e ndara janë marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot me 5 gusht 2025.

Për të gjithë të akuzuarit Prokuroria kishte thënë se duhet të mbesin në paraburgim me arsyetimin se janë proporcionale dhe të nevojshëm.

Sa i përket Thaçit, gjyqtarja e procedurës paraprake, Masselot ka thënë se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet.

Përveç kësaj, ajo ka konstatuar se ekziston rreziku që ai të arratiset, t’i pengojë procedurat si dhe të kryej krime të tjera.

Konstatimin për rrezik të arratisjes, Masselot e ka mbështetur në faktin që ende mbeten të vlefshme vlerësimet që nga vendimi i tretë për vazhdimin e paraburgimit.

Këto vlerësime kanë të bëjnë me rëndësinë e veprave penale për të cilat Thaçi akuzohet dhe dënimi i mundshëm në rast që ai shpallet fajtor, qëllimet jo të mira të të akuzuarit ndaj ligjeve dhe procedurave të Gjykatës, mundësinë e tij për t’u arratisur pavarësisht paraburgimit të tij aktual në çështjen 06 ku ai akuzohet për krime lufte etj.

Ndërkaq sa i përket Smakajt, gjyqtarja i ka konstatuar argumentet e mbrojtjes së tij si të pabazuara.

Kujtojmë edhe njëherë se ky vazhdim i paraburgimit vjen një ditë para se të mbahet protesta e thirrur nga OVL UÇK që do të mbahet nesër.

Active