I arratisuri nga burgu në Mitrovicën e Veriut kishte vrarë një person dhe ka plagosur vëllain e tij

Gjorgje Radomiroviq, 34 vjeç, për të cilin policia është në kërkim pas arratisjes nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicën e Veriut, ishte dënuar me 14 vjet e gjysmë burg për vrasjen e pronarit të kafenesë, Mirko Vulloviq, në Leshak dhe plagosjen e vëllait të tij Mlladenit në vitin 2014. Mediat raportuan atëherë se Radomiroviqi ishte një kriminel i njohur, i cili, për shkak të disa veprave penale të kryera në zonën e Novi Pazarit dhe rrethinës, ishte fshehur në veri të Kosovës.
Radomiroviq, ditën fatale, kishte hyrë në kafenenë “Tajm” dhe menjëherë e kishte ndalur muzikën, dhe kishte thënë: “Kush guxon ta lëshojë përsëri?”. Pronari i kafenesë ishte përpjekur ta qetësonte, por ai i kishte ftuar që “të dilnin jashtë dhe të bisedonin”. Sapo kishin dalë, ai kishte nxjerrë armën dhe kishte qëlluar me disa plumba drejt Mirkos dhe Mlladenit. Disa ditë para ngjarjes Radomiroviq ishte lidhur me një grabitje në afërsi të Leposaviqit.
Mediat kanë raportuar se bëhet fjalë për një person që ka hyrë në botën e krimit që në moshë të mitur.
Pas Mirko Vulloviqit të vrarë kanë mbetur katër fëmijë të mitur.
Pas arratisjes së djeshme të Radomiroviqit nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicën e Veriut, policia është në kërkim intensiv për të. Është publikuar edhe fotografia e tij.
“Policia ka ndërmarrë menjëherë masa duke vendosur pika kontrolli të qëndrueshme në të gjithë veriun e vendit dhe duke kontrolluar fizikisht zonën përreth Qendrës së Paraburgimit”, thuhet në njoftim.
„Aktualisht ende jemi në kërkim të personit në fjalë dhe kemi angazhuar njësi të specializuara (njësinë policore me qen – K9)“, shtojnë ata.
Ata kërkojnë nga qytetarët mirëkuptim dhe, nëse hasin këtë person, t’i telefonojnë numrit 192 ose të njoftojnë stacionin më të afërt të policisë.
Dje janë pezulluar nga puna katër punonjës: drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicën e Veriut, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë, për shkak të arratisjes së të burgosurit nga kjo qendër.
„I burgosuri ishte dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, nga të cilat i kishin mbetur edhe 3 vjet e 7 muaj. Ishte kategorizuar si i avancuar dhe, në kohën e arratisjes, punonte në punëtorinë e institucionit. Gjithashtu, ndodhej në listën e të burgosurve që mund të përfitonin nga lirimi me kusht“, thuhet në deklaratën e administratës.
Menjëherë pasi u konstatua mungesa e tij, u aktivizuan të gjitha procedurat e brendshme operative dhe u njoftuan institucionet përkatëse të sigurisë.
„Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nisur një hetim të brendshëm për të sqaruar rrethanat e incidentit dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta zgjidhur këtë rast, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Deri në përfundimin e hetimit, drejtori i institucionit, mbikëqyrësi i lartë dhe dy zyrtarë mbeten të pezulluar nga detyra“, përfundon deklarata.
Përndryshe “Mitropol” ka raportuar ekskluzivisht lidhur me rastin.








