LDK dhe Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar lidhin koalicion për zgjedhjet lokale në Vushtrri

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – Dega në Vushtrri dhe Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar (PBKDSH) – Dega në Vushtrri kanë nënshkruar sot marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, shkruan Mitropol.
Të dyja partitë, të pozicionuara si forca nacionaliste të qendrës së djathtë, theksuan se ndajnë të njëjtat vlera për shtetin, kombin dhe zhvillimin ekonomik.
Sipas marrëveshjes, PBKDSH do të ketë një përfaqësuese në listën e kandidatëve të LDK-së për Asamblenë Komunale, ndërsa palët do të bashkëpunojnë për harmonizimin e programit qeverisës dhe përzgjedhjen e kuadrove për një qeverisje të përgjegjshme e transparente.
Ky bashkëpunim synon të forcojë veprimin politik në shërbim të qytetarëve dhe të çojë përpara projekte zhvillimore që rrisin mirëqenien dhe perspektivën e Vushtrrisë.







