
Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë së Kosovës ditën e djeshme ka ndaluar një tentim kontrabande me migrantë në pikën e kontrollit afër Jarinjës, shkruan Mitropol.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës me anë të një komunikate.
Gjatë kontrollit të një autobusi me targa (NP), që udhëtonte në linjën Mitrovicë–Beograd, policia zbuloi se në katin e parë ndodheshin vetëm 8 pasagjerë të regjistruar, ndërsa në katin e dytë ishin fshehur 18 migrantë të paregjistruar.
Sipas hetimeve të para, pronari i kompanisë G. A. dhe shoferi B. D. dyshohen për përfshirje direkte në organizimin e transportit të paligjshëm. Të dy janë ndaluar pas intervistimit me praninë e avokatëve mbrojtës.
Në mesin e migrantëve të ndaluar gjendeshin:
• 5 shtetas palestinez që kishin hyrë përmes Aeroportit të Prishtinës me pasaporta jordaneze,
• 6 shtetas nga Bangladeshi me viza pune, por me vendim për largim nga Kosova,
• 7 shtetas egjiptian që kishin hyrë nga Shqipëria dhe synonin kalimin drejt Serbisë dhe vendeve të BE-së.
Personat e ndaluar janë dërguar në mbajtje, ndërsa migrantët janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj.








