Kurti e cakton Hysen Durmishin në vend të Liburn Aliut

Pas dorëheqjes së Liburn Aliut, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka emëruar Hysen Durmishin si ushtrues të detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Aliu dha dorëheqje gjatë ditës nga posti i ministrit, pasi tha se nuk ishte i kënaqur me zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar të Kuvendit.
Dorëheqjen e Aliut e ka komentuar gjatë ditës Durmishi, por që ishte i rezervuar, teksa tha se Aliu nuk është deputet, s’ka qenë kandidat për deputet dhe nuk është anëtar kryesie në VV.
“Ne mundemi me pas herë pas herë mospajtime për çështje të ndryshme, të cilat diskutohen në Këshill të Përgjithshëm, mandej në Kryesi. Por, kur merren vendimet me shumicë ato janë vendime demokratike të cilat respektohen pavarësisht ndonjë mospajtimi që mund ta ketë dikush”, ka thënë Durmishi.
Dimal Basha është zgjedhur dje kryetar i kuvendit, por që konstituimi ka ngecur në zgjedhjen e nënkryetarit nga pakica serbe.







