18 vjet nga vrasja e Triumf Rizës – sot vendoset gurthemeli i memorialit për policët e rënë në detyrë

Sot shënohet 18-vjetori i vrasjes së zyrtarit policor, Triumf Rizës, dhe pikërisht në këtë përvjetor do të vendoset edhe gurthemeli për ndërtimin e memorialit kushtuar të gjithë policëve të rënë në detyrë, shkruan Mitropol.
Sipas njoftimit të policisë, homazhet për Triumf Rizën do të mbahen pranë pllakës përkujtimore në lagjen “Dardania”, ku edhe ka rënë Triumf Riza, dhe pritet që të jenë të pranishëm edhe krerët e institucioneve shtetërore.
Ndërkaq, të akuzuarit për vrasjen e Triumf Rizës janë: Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu.
Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.
Ndërkaq, në lidhje me këtë rast është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa i cili më 3 maj të vitit 2024 ishte dënuar me 25 vite burgim për nxitje të vrasjes së policit, por i njejti gjendet në arrati.







